Aktorja turke Ece Irtem, e njohur për rolin e saj si “Isil” në serialin “One Love”, ka ndërruar jetë në moshën 35-vjeçare.
Ajo u gjet e pajetë në banesën e saj mëngjesin e sotëm, vetëm një ditë pas ditëlindjes. Sipas raportimeve fillestare, dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë një atak në zemër.
E lindur më 14 qershor 1991 në Sivas, Ece Irtem ka ndjekur studimet e larta në Universitetin Yasar, ku është diplomuar në vitin 2014 në degën e Operës dhe Performancës Vokale, duke u renditur e treta në klasën e saj.
Gjatë periudhës së studimeve, ajo është formuar profesionalisht pranë emrave të njohur të muzikës klasike, mes tyre sopranoja Aytül Büyüksaraç, drejtori i Operës dhe Baletit Shtetëror të Izmirit, tenori Levent Gündüz, Paolo Susanni, Esra Mamak dhe mezo-sopranoja Anna Chubuchenko.
Që në fëmijëri, Irtem ka qenë e lidhur me sportin, ndërsa paralelisht ka shfaqur edhe pasionin për aktrimin, duke shkruar dhe interpretuar skenarë të vegjël në shfaqje shkollore.
Pas transferimit në Stamboll, ajo ka vijuar formimin në aktrim në Qendrën Kulturore Sadri Alışık gjatë viteve 2014–2015, ku ka marrë mësime nga emra të njohur si Kayhan Yıldızoğlu, Oktay Korunan, Kadim Yaşar dhe Tolga Çiftçi.
Ece Irtem u bë e njohur për publikun e gjerë sidomos me rolin e saj si “Isil” në serialin turk “One Love”, një dramë televizive me shikueshmëri të lartë, e cila i solli asaj popullaritet të konsiderueshëm edhe jashtë Turqisë, përfshirë edhe publikun shqiptar që ndjek produksionet turke.
© SYRI.net