Nisur nga diskutimi në BBVK: Si (s)është e mundur që një grua transgjinore të lindë fëmijë

Nisur nga diskutimi në BBVK: Si (s)është e mundur që një grua transgjinore të lindë fëmijë

11:03, 24/10/2023
A+ Aa A-

Teksa banorët e “Big Brother VIP Kosova” po diskutonin me njëri-tjetrin mbi transplantin e mitrës, Edona James pohoi se është e mundur si procedurë dhe “shoqja e saj ka lindur fëmijë”.

Ajo nuk specifikoi nëse shoqja është apo jo një grua transgjinore, por duke marrë në konsideratë që vetë Edona është grua transgjinore (lindur me seksin mashkull, por e identifikuar si grua) deklarata e saj u komentua në rrjet sikur i referohej shtatzënisë së një gruaje transgjinore.

“Nuk e ka bërë [me lindje] normale,” shtoi ajo, duke iu referuar lindjes përmes një operacioni cezarian. Deklarata e Edonës është e paqartë, ndonëse me shumë mundësi i referohet shtatzënisë së një gruaje cisgjinore, identiteti gjinor i të cilës (grua) korrespondon me seksin e regjistruar në lindje (femër). Në botë, janë dokumentuar disa raste kur gra (jo transgjinore) me mitër të transplantuar kanë mbetur shtatzënë dhe kanë sjellë në jetë fëmijë.

Sidoqoftë, natyrshëm kushdo mund të pyesë: A është e mundur që një grua transgjinore të mbetet shtatzënë dhe të lindë një fëmijë? Në teori, procedura nuk është e pamundur, ndonëse e vështirë dhe e rrezikshme.

Kur Mats Brännström – profesor në Universitetin e Gothenburg dhe kryetar i Departamentit të Obstetrikës dhe Gjinekologjisë, Instituti i Shkencave Klinike në Suedi – ëndërroi për herë të parë për të kryer transplantin e mitrës, ai donte të ndihmonte gratë që kishin lindur pa organ ose u ishin nënshtruar operacioneve për heqjen e mitrës. Dëshira e tij ishte t'u jepte atyre një mundësi për të lindur fëmijë, veçanërisht në vende si Suedia ku shtatzënitë përmes një nëne surrogate janë të paligjshme.

Scientific American raporton se ai provoi procedurën te brejtësit femra, pastaj kaloi tek delet dhe babunët. Ai ka kryer transplante të mitrës te disa gra jotransgjinore dhe kanë ardhur në jetë disa foshnja. Ndërhyrjet e tij të jashtëzakonshme shtuan dëshirën e grave transgjinore për të lindur fëmijë.

Problemi me transplantin e mitrës është jashtëzakonisht kompleks sepse duhen shumë burime. Së pari, mitra, venat dhe arteriet shoqëruese duhet të hiqen nga një dhurues, që mund të jetë person i gjallë ose kufomë. Pastaj organi duhet të vendoset te personi dhe të shihet nëse funksionon, fillimisht duke shkaktuar menstruacionet. Nëse pacienti nuk ka komplikime të mëtejshme, mjekët mund të implantojnë një embrion përmes fekondimit in vitro.

Foshnja duhet të lindë përmes një operacioni cezarian – si masë paraprake për të shmangur shokun në organin e transplantuar.

Por për një grua transgjinore, edhe pas ndryshimit të organit gjenial nga penis në vaginë, procesi është shumë më i vështirë sepse ka lindur pa sistemin riprodhues femëror. Grave transgjinore u duhet një mjedis hormonal për të ushqyer mitrën, së bashku me vaginën.

Ekspertët e riprodhimit thonë se për këta individë, të cilët janë të gatshëm të ndërmarrin këto hapa, shtatzënia është teorikisht e mundur – por praktikisht jo e lehtë.

Transplanti i mitrës është realizuar edhe më parë. Në një nga përpjekjet mjekësore të para të fushës, transplanti u krye të artistja daneze Lili Elbe (1882-1931). Lili (potretizuar nga aktori Eddie Redmayne në filmin "The Danish Girl"), me shpresën se do të kishte një fëmijë me të fejuarin e saj, iu nënshtrua transplantit të mitrës në vitin 1931, në Gjermani në moshën 48-vjeçare. Për fat të keq, ajo pati një infeksion post-kirurgjikal dhe ndërroi jetë nga arresti kardiak tre muaj më vonë. Shumë pak të dhëna dihen për teknikat që përdorën kirurgët, pasi informacionet humbën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sot, është e pamundur të dihet nëse operacioni mund të kishte rezultuar në shtatzëni të suksesshme.

Në ditët e sotme, shtatzënia është e mundur për burrat transgjinorë që kanë vaginë, vezore dhe mitër funksionale, por për gratë transgjinore, si rasti i Edonës, duhen ende studime të mëtejshme dhe nuk janë raportuar transplante të mitrës dhe shtatzëni të suksesshme.

Një mënyrë se si një grua transgjinore të ketë fëmijë biologjikë është që përpara heqjes së organit gjenital (penis) të grumbullohet sperma dhe të ngrihen spermatozoidët, në mënyrë që në të ardhmen të kombinohen me vezën e dikujt tjetër. Për momentin, shtatzënia e grave transgjinore është një territor i panjohur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco