Nëse partneri juaj përsërit këto fjali po përpiqet t’ju manipulojë

Nëse partneri juaj përsërit këto fjali po përpiqet t’ju manipulojë

20:59, 02/10/2023
A+ Aa A-

Askush nuk dëshiron të mendojë se mund të manipulohet lehtësisht por në të vërtetë, ndodh më shpesh se ç’mund t’jua marrë mendja. Partnerët manipulues kanë taktika të cilat nuk kuptohen lehtë, sidomos nëse nuk keni shumë kohë që dilni. Më poshtë keni disa fraza të cilat tregojnë se njeriu me të cilin po njiheni, po përpiqet t’ju manipulojë.

“E di që sapo jemi njohur, por të dua”

Nëse dikush ju mbulon me dhurata dhe ju tregon afeksion të tepruar, ka më pak gjasa të  jetë dashuri dhe më shumë që të jetë “love bombing”. Ndonëse në sipërfaqe mund të duket e përsosur, në të vërtetë është një metodë që ju të krijoni varësi emocionale pas këtij personi. Mbani mend: faza e muajit të mjaltit duhet të jetë e ëmbël, jo t’ju velë.

“Nëse më do vërtet, do e bëje”

Kjo fjali është shembulli klasik për t’ju bërë të ndiheni në faj. Kjo tregon që partneri nuk i respekton kufijtë tuaj. Në fakt, po ushtron presion për diçka që nuk ju bën të ndiheni rehat. Edhe pse keni ndjenja, nuk do të thotë që duhet të bëni gjithçka që ju kërkon.

“Duket sikur nuk ke më kohë për mua”

Një fjali më pak manipuluese se e mësipërmja por që anon nga një reagim pasiv-agresiv. Partneri mund të tregohet i hapur nëse ndihet i neglizhuar, por nëse po përdorin ironinë për t’ju thënë diçka, ka si qëllim që të nxisë ndjesinë e fajit.

Përdor pasiguritë tuaja

Njerëzit manipulues fillimisht ju vëzhgojnë në heshtje dhe zbulojnë momentet kur ndiheni në ankth, të dobët ose keni dyshime te vetja. Në vend që t’ju ndihmojnë t’i kapërceni këto faza, ata ngacmojnë edhe më shumë vetëbesimin tuaj. “S’e di pse lodhesh të bësh miq, njerëzit as nuk të kanë qejf”, “je me fat që të duroj”, “s’do merrej njeri me ty si unë” janë disa fraza që ju japin sinjalin se duhet të keni kujdes.

“Ndoshta do të të doja më shumë nëse do të ishe…”

Do të ishe çfarë? Dashuria s’mund të jetë e kushtëzuar.

“Miqtë e tu ndikojnë për keq”

Izolimi është një taktikë e manipuluesve që të ushtrojnë kontroll. Ata nisin me këtë fjali dhe më pas ju largojnë nga rrethi familjar e shoqëror. Qëllimi i tyre është që të krijoni varësi të plotë te ta dhe mos të keni asnjë vend tjetër ku të kërkoni ndihmë. Por, nëse partneri juaj vërtet shikon që diçka nuk shkon me miqtë tuaj, ndoshta duhet t’ia vini veshin. Këmbana e alarmit duhet të bjerë kur personi në fjalë këmbëngul që të largoheni nga kushdo.

“Ti po më detyron të sillem kështu”

Kjo është fjalia për t’i shpëtuar përgjegjësisë dhe pasojave të veprimit në mënyrë që t’ju pasojë topin. Me këtë, synon që t’ju manipulojë në mënyrë që të ndryshoni sjelljen tuaj për t’iu përshtatur dëshirave të tyre.

Heshtje

Kjo është një tjetër formë manipulimi. Nëse jeni grindur dhe partneri nuk ju flet për të treguar se është mërzitur, refuzon të kthejë mesazhet apo të kthejë një përgjigje derisa ju t’i thoni se do të ndryshoni sjellje, është një formë ndëshkimi nga ana e tyre. Gjithashtu, mund të jetë një mënyrë që t’ju bëjë të keni pasiguri për lidhjen tuaj dhe të përpiqeni ta kënaqni. Sido të jetë, po ju manipulon.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco