Lajmi i fundit

INTERVISTA/ Shqipëria narko-shtet: Filiberto Zaratti kërkon interpelancë me Melonin

Java e modës në Paris, Victoria Beckham prezanton koleksionin e ri pranverë 2024

Java e modës në Paris, Victoria Beckham prezanton koleksionin e ri pranverë 2024

19:24, 01/10/2023
A+ Aa A-

E vështirë që Victoria Beckham të zhgënjejë, kurrsesi jo në Paris e kurrsesi kjo nuk mund të ndodhë në javën e modës.

Stilistja britanike zgjodhi Parisin e jo Londrën për të prezantuar koleksionin e saj të ri, me veshjet e thurura, madje edhe me flokë të kapura me rrjetë, duke i dhënë modeleve në pasarelë një shkëlqim e elegancë, teksa propozon për pranverën e ardhshme, një stil urban, gati surreal.

Victoria i qëndron besnik stilit të saj, edhe pse këtë herë erdhi krejt ndryshe nga vajza pikante që vite më parë këndonte e kërcente. Këtë herë, ajo propozon veshje për një balerinë, veshje për një bankiere, veshje për një zyrtare dhe qëllimi është vetëm një: ji vetvetja.

Çorapet e gjatë, thuajse në çdo veshje, na rikthejnë në këtë koleksion, në Parisin e shekullit të 18-të. Grija dhe e bardha janë pa diskutim ngjyrat e saj por këtë herë, Victoria propozon grima nuancash apo veshje pastel, diku blu apo jeshile, diku rozë e lehtë. Dantellat nuk mungojnë, as sateni lehtë pas trupi.

Dhe ajo që e bën Victoria Beckham të dallohet lehtësisht: xhaketat e mëdha oversize, të preferuarat edhe të vetë stilistes në përditshmëri.

Kjo ishte hera e parë që 49 vjecarja prezantohet me një koleksion në Paris, pasi e zhvendosi aktivitetin e saj nga Londra në kryeqytetin francez vitin e shkuar. Dhe e ka pranuar, e ka ndjerë veten shumë të mirëpritur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco