Lajmi i fundit

PS miraton e vetme marrëveshjen 'e fshehtë' me SHBA ! Opozita: Nuk bëhemi pjesë e antikushtetueshmërisë

Bypass-i i Tiranës, ARRSH tenderon fazën 3 për rreth 16 mln euro

Bypass-i i Tiranës, ARRSH tenderon fazën 3 për rreth 16 mln euro

13:27, 27/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) hapi këtë të hëne procedurën e prokurimit për ndërtimin e segmentit Kashar – Nyja Vaqarr, Faza III, me fond limit prej rreth 1.5 miliardë lekësh (afërsisht 16 milionë euro) duke avancuar me projektin e të Bypass-it të Tiranës.

Sipas dokumenteve projekti lidhet me zhvillimin e nyjës së Kasharit, e cila është konceptuar për t’i dhënë akses të drejtpërdrejtë rrjetit të autostradave zonës me rritjen më të shpejtë të aktiviteteve industriale dhe tregtare në periferi të Tiranës.

Aktualisht, bizneset dhe automjetet që operojnë në këtë zonë mbështeten kryesisht në rrugët dytësore përgjatë autostradës Tiranë–Durrës, duke krijuar ngarkesë të lartë trafiku.

Bypass-i i Tiranës do të lidhë dy korridoret kryesore të transportit, Korridorin Adriatiko-Jonian dhe Korridorin VIII, ndërsa synon të largojë trafikun transit nga qendra e kryeqytetit dhe të përmirësojë lëvizjen e mallrave dhe pasagjerëve.

Dokumentet teknike vlerësojnë se nevoja për ndërtimin e nyjës së re të Kasharit lidhet me zgjerimin e pritshëm të zonës industriale dhe tregtare, të favorizuar nga afërsia me Tiranën, Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe Portin e Durrësit. Projekti synon të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë me rrjetin kryesor rrugor, duke reduktuar varësinë nga infrastruktura ekzistuese lokale.

Nyja e re është projektuar si një interchange i tipit diamant, me dy rrethrrotullime të lidhura përmes një nënkalimi, të cilat komunikojnë me autostradën nëpërmjet rampave dhe me rrjetin lokal të rrugëve. Sipas projektit, kjo zgjidhje është përzgjedhur për të përballuar flukset e pritshme të trafikut dhe për të rritur kapacitetin e aksesit në zonë.

Bypass-i i Tiranës është pjesë e projekteve prioritare të transportit në Shqipëri dhe është përfshirë në Planin Kombëtar të Transportit, Planin e Përgjithshëm Kombëtar dhe Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkise Tiranë./Monitor

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco