Shqipëria duhet të tërheqë më shumë investime në industri, teknologji dhe prodhim, ndërsa një pjesë e madhe e kapitalit vazhdon të shkojë në pasuri të paluajtshme. Kjo është një nga pikat që del nga Strategjia Kombëtare për Industrinë 2026-2030. Dokumenti vlerëson se mënyra si financohet ekonomia sot nuk po ndihmon mjaftueshëm zhvillimin e sektorëve prodhues.
“Struktura aktuale e financimit në ekonominë shqiptare karakterizohet nga një orientim i kufizuar drejt sektorëve prodhues. Sistemi bankar mbetet konservativ dhe i orientuar kryesisht drejt sektorëve me risk më të ulët, si ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, ndërkohë që investimet në industri dhe teknologji mbeten të nënfinancuara”, thuhet në strategji.
Qeveria synon që në vitet e ardhshme investimet të drejtohen më shumë drejt aktiviteteve që prodhojnë mallra, rrisin eksportet dhe krijojnë më shumë vlerë në ekonomi. Sipas dokumentit, Shqipëria ka mundësi të përfitojë nga interesi në rritje i investitorëve të huaj, por këto investime duhet të orientohen drejt sektorëve prodhues.
“Interesimi në rritje i investitorëve ndërkombëtarë për ekonominë shqiptare, së bashku me potencialin për të orientuar investimet drejt aktiviteteve prodhuese dhe inovative, përbën një mundësi të rëndësishme për diversifikimin e strukturës ekonomike”, thuhet në strategji. Megjithatë, vetë të dhënat e dokumentit tregojnë se pasuritë e paluajtshme vazhdojnë të tërheqin më shumë investime të huaja sesa industria.
Në fund të vitit 2025, stoku i investimeve të huaja direkte në sektorin e pasurive të paluajtshme kishte arritur në 9.5 miliardë euro. Në të njëjtën kohë, stoku i investimeve në industrinë përpunuese ishte rreth 6 miliardë euro. Edhe investimet e reja tregojnë të njëjtën prirje. Gjatë vitit 2025, sektori i pasurive të paluajtshme tërhoqi 561 milionë euro investime të huaja direkte, ndërsa industria përpunuese vetëm 107 milionë euro.
Kjo do të thotë se investimet e reja në pasuri të paluajtshme ishin më shumë se pesë herë më të larta se ato në industri.
Për këtë arsye, strategjia vendos si objektiv rritjen e investimeve në sektorët prodhues dhe në aktivitetet me teknologji më të avancuar. “Qëllimi i saj është të mbështesë kalimin drejt një modeli zhvillimi të bazuar në produktivitet dhe vlerë të shtuar, duke rritur peshën e prodhimit në ekonomi, duke ngritur intensitetin teknologjik dhe duke zhvilluar zinxhirët e furnizimit”, thuhet në dokument.
Strategjia thekson se industria përpunuese duhet të luajë një rol më të madh në ekonomi dhe se investimet duhet të ndihmojnë kompanitë shqiptare të lidhen më shumë me tregjet ndërkombëtare. “Zhvillimi i industrisë përpunuese, forcimi i lidhjeve me zinxhirët rajonalë dhe globalë të vlerës, si dhe orientimi i investimeve drejt aktiviteteve me intensitet më të lartë teknologjik, përbëjnë mundësi konkrete për rritjen e vlerës së shtuar në ekonomi”, thuhet në strategji.
Dokumenti e sheh këtë ndryshim si të nevojshëm për ta bërë ekonominë shqiptare më produktive dhe më pak të varur nga sektorët që nuk gjenerojnë prodhim dhe eksporte në të njëjtën masë si industria./ Monitor/
© SYRI.net