Të ardhurat e shqiptarëve shkojnë më shumë për ushqime. Të dhënat e Eurostat tregojnë se 20.4% e ekonomisë së shqiptarëve shkojnë për ushqime, rreth 5 miliardë euro në vit. Çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë më të shtrenjta në raport me të ardhurat, duke bërë që në këtë aspekt Shqipëria të jetë më shtrenjta në rajon.
SYRI TV
Shqiparët e shpenzojnë pjesën më të madhe të të ardhurave për sigurimin e ushqimit. Të dhënat e Eurostat tregojnë se Shqipëria vijon të ketë peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime në raport me madhësinë e ekonomisë, duke lënë pas jo vetëm vendet e Bashkimit Europian, por edhe të gjitha ekonomitë e tjera të rajonit.
Sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor, shpenzimet nominale për ushqime në Shqipëri arritën në vitin 2025 në 20.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga 20.5% një vit më parë.
Pra një vlerë e barabartë me rreth një të pestën e gjithë prodhimit vjetor të ekonomisë shqiptare përdoret për blerjen e ushqimeve, çka tregon se familjet shqiptare vazhdojnë të përdorin një pjesë të madhe të të ardhurave për nevojat bazë. Ndërsa në ekonomitë me të ardhura më të larta, ushqimet zënë një pjesë më të vogël të shpenzimeve, pasi familjeve u mbeten më shumë para për strehim, transport, arsim, shëndetësi, kulturë dhe argëtim.
Diferenca me Bashkimin Europian është edhe më e madhe. Në 27 vendet e BE-së, shpenzimet për ushqime përfaqësonin mesatarisht 6.2% të PBB-së në vitin 2025. Ndërsa në Shqipëri, pesha prej 20.4% ishte mbi tri herë më e lartë se mesatarja europiane, me një diferencë në 14.2 pikë përqindjeje.
Në terma nominalë, shpenzimet për ushqime në Shqipëri arrijnë në rreth 5 miliardë euro në vit. Për banor, çdo shqiptar, sipas Eurostat, shpenzoi 2349 euro në 2025-n, një shifër që është e krahasueshme me mesataren e Bashkimit Europian, prej 2576 euro.
Një nga faktorët që rrit buxhetin e familjeve për ushqime janë edhe çmimet e shtrenjta të tyre, në raport me të ardhurat. Shqipëria rezulton të jetë më e shtrenjta në rajon. Serbia renditet e dyta me një indeks prej 96.6, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina kanë nivel pothuajse të njëjtë çmimesh, përkatësisht 84.6, ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet vendi më i lirë në rajon me 74.3% të mesatares së BE-së.
© SYRI.net