Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

Hyn në fuqi rregullorja e re, licencat e shoqërive në ndërtim do të vlejnë deri në 5 vjet

Hyn në fuqi rregullorja e re, licencat e shoqërive në ndërtim do të vlejnë deri në 5 vjet

18:21, 21/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Licencat e shoqërive të ndërtimit do të kenë afat vlefshmërie deri në 5 vite, ndërsa për licencat individuale vlefshmëria e tyre do të jetë pa afat.

Rregullorja e re për licencimin profesional në fushën e ndërtimit përcakton afatet e vlefshmërisë së licencave për shoqëritë dhe individët që ushtrojnë veprimtari në studim, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim të punimeve të ndërtimit.

Sipas rregullores të re të botuar në Fletoren Zyrtare “Për miratimin e rregullores “Për kriteret dhe procedurat e dhënies së licencave profesionale për individë dhe persona juridikë në fushën e studimit e të projektimit në ndërtim dhe të mbikëqyrjes e kolaudimit të punimeve të zbatimit në ndërtim”, licencat profesionale për shoqëritë që kryejnë studim dhe projektim në ndërtim do të jenë të vlefshme për një periudhë sa afati i kontratës me drejtuesin ose drejtuesit teknikë, por në çdo rast jo më shumë se 5 vjet.

Për subjektet e huaja, vlefshmëria e licencës do të përcaktohet sipas afatit të kontratës, kur ajo është me afat, por jo më shumë se 5 vjet. Në rastet kur kontrata nuk ka afat të përcaktuar, licenca do të jetë e vlefshme për 5 vjet.

Të njëjtat rregulla do të zbatohen edhe për licencat profesionale të shoqërive që ushtrojnë veprimtari në mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të zbatimit në ndërtim.

Ndryshe nga shoqëritë, licencat profesionale individuale do të jepen me afat të përhershëm.

Rregullorja përcakton gjithashtu se kërkesa për shtimin e kategorive në një licencë profesionale mund të paraqitet pasi të ketë kaluar një periudhë minimale prej 1 viti nga pajisja me licencë. Ky kufizim nuk zbatohet kur shtimi i kategorive vjen si pasojë e ndryshimit ose shtimit të drejtuesve teknikë të shoqërisë, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në rregullore.

Rregullorja përcakton se aplikimi për rinovimin e licencës do të kryhet nëpërmjet e-Albania.

Edhe për pajisje me shtesa në licencën individuale ekzistuese, pasi të plotësohen kufizimet dhe kushtet paraprake të specifikuara në këtë rregullore, aplikimi do të kryhet në portalin “e-Albania” dhe, shoqërohet me: a) aplikimin në portalin unik qeveritar “eAlbania”, ku të përcaktohen kategoritë, të cilat individi kërkon të shtohen në licencën, që disponon nga një aplikim i mëparshëm; b) CV-në e aplikantit, ku të pasqyrohet veprimtaria e tij e kryer nga aplikimi paraardhës; c) dokumentacionin teknik justifikues, për çka është përshkruar si veprimtari e kryer në CV, vërtetime nga subjekte, institucione apo organizma; projekte (ose pjesë të tyre), ku ka qenë bashkautor personi; certifikata kursi apo specializimi, që kanë lidhje me fushën, ku kërkon të licencohet./ Monitor/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco