Tregu i shtëpive me qira po shkon drejt krizës, oferta rritet më shpejt se kërkesa

Tregu i shtëpive me qira po shkon drejt krizës, oferta rritet më shpejt se kërkesa

09:20, 08/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Tregu i apartamenteve turistike po vijon zgjerimin me ritme të larta, por të dhënat më të fundit të AirDNA (kompani e analizës së të dhënave për qiratë afatshkurtra, si ato në platformat Airbnb dhe Vrbo) tregojnë se oferta po rritet më shpejt se kërkesa, një zhvillim që po reflektohet në ngadalësimin e rritjes së çmimeve dhe në zbutjen e normave të zënies.

Gjatë 12 muajve të fundit deri në mars 2026, Shqipëria regjistroi mesatarisht afro 27 mijë njësi aktive në platformat Airbnb dhe Vrbo (Vacation Rentals by Oëner =Qira Pushimesh nga Pronari), duke shënuar rritjen më të lartë vjetore të ofertës ndër vendet e Ballkanit, me 19%.

Tregu ka kaluar një transformim të shpejtë krahasuar me vitin 2019, kur numri i listimeve ishte nën 6 mijë. Sipas AirDNA, periudha pas pandemisë u karakterizua nga rritje të forta si të kërkesës ashtu edhe të ofertës, me valë të reja hyrjesh në treg gjatë viteve 2022-2023 dhe sërish gjatë 2024-2025.

Kërkesa për net qëndrimi vijon të rritet. Gjatë vitit të fundit ajo u zgjerua me 18% në krahasim me një vit më parë, ndërsa të ardhurat e gjeneruara nga sektori arritën në 133.7 milionë euro, me rritje vjetore prej 19%.

Megjithatë, ritmi i zgjerimit të ofertës ka filluar të tejkalojë atë të kërkesës. AirDNA vëren se kjo prirje ka ndikuar në ecurinë e treguesve kryesorë të performancës.

Norma mesatare e zënies arriti në 54% gjatë 12 muajve të fundit, krahasuar me 43% para pandemisë, por rritja vjetore e këtij treguesi është ngadalësuar dhe në disa periudha ka kaluar në territor negativ.

Në të njëjtën kohë, çmimi mesatar ditor (ADR) u ngjit në 57 euro për natë, mbi 50% më i lartë se niveli para pandemisë. Megjithatë, gjatë vitit të fundit rritja e çmimeve ishte vetëm 1% në raport me një vit më parë.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se tregu shqiptar mbetet  në mënyrë të theksuar sezonal. Në vitin 2025, kërkesa e muajit shkurt përfaqësonte vetëm 28% të nivelit të korrikut dhe 23% të nivelit të gushtit, muajt me aktivitetin më të lartë turistik.

Sipas AirDNA, Shqipëria mbetet një nga tregjet me zgjerimin më të shpejtë të akomodimit afatshkurtër në rajon, ndërsa oferta e re vijon të hyjë në treg pas rritjes së vazhdueshme të kërkesës në vitet e fundit./MONITOR


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco