Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit në fillim të vitit 2026 i dha tregjeve globale të energjisë një tronditje të re. Si korridori nga i cili kalon rreth një e pesta e naftës së tregtuar në botë, çdo ndërprerje e trafikut në këtë pikë strategjike ka pasoja të menjëhershme për çmimet ndërkombëtare të energjisë. Europa nuk bëri përjashtim.
Sipas të dhënave të Komisionit Europian, midis fundit të shkurtit dhe fundit të majit 2026, çmimi mesatar i benzinës Euro-Super 95 në Bashkimin Europian u rrit nga 1.55 euro në 1.85 euro për litër, ose 19.3%. Nafta u shtrenjtua edhe më shumë, duke kaluar nga 1.54 euro në 1.87 euro për litër, një rritje prej 21.1%.
Megjithatë, ndikimi nuk ishte i njëjtë në të gjitha vendet. Rritjet më të mëdha u regjistruan në vende si Çekia, Danimarka, Belgjika dhe Finlanda, ndërsa Malta mbeti përjashtimi i vetëm europian, duke ruajtur çmime të pandryshuara falë një sistemi të kontrollit shtetëror të karburanteve.
Në pamje të parë, tregjet globale diktojnë tregun, por Shqipëria paraqet një realitet më kompleks. Ndryshe nga shumica e vendeve europiane, ku luhatjet e çmimeve lidhen kryesisht me tregjet ndërkombëtare, në Shqipëri mbi gjysma e çmimit të naftës nuk përcaktohet nga tregu, por nga politika fiskale.
Sipas një raporti të publikuar nga Qëndresa Qytetare, 52.4% e çmimit final të një litri naftë në Shqipëri përbëhet nga taksa dhe tatime, niveli më i lartë në Ballkan. Shqipëria lë pas jo vetëm vendet e rajonit, por edhe shumë ekonomi europiane me të ardhura dukshëm më të larta.
Struktura fiskale është ajo që e bën Shqipërinë një rast të veçantë. Përveç akcizës prej 39.4 lekësh për litër, konsumatorët paguajnë edhe 27 lekë taksë qarkullimi dhe 3 lekë taksë karboni. Mbi këto shtohet edhe TVSH-ja prej 20%. Në total, vetëm taksat fikse arrijnë rreth 0.73 euro për litër, pa llogaritur TVSH-në.
Elementi që e dallon Shqipërinë nga vendet fqinje është pikërisht taksa e qarkullimit. Në shumicën e vendeve të rajonit, barra fiskale përbëhet kryesisht nga akciza dhe TVSH-ja. Në Shqipëri, taksa shtesë prej 27 lekësh për litër e rrit ndjeshëm çmimin final dhe kufizon ndikimin që mund të kenë uljet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Pasoja është e dukshme në pompë. Në fund të prillit 2026, nafta në Shqipëri tregtohej me rreth 214 lekë për litër. Në të njëjtën periudhë, çmimi ishte 179 lekë në Greqi, 160 lekë në Mal të Zi dhe vetëm 142 lekë në Maqedoninë e Veriut. Diferenca me Shkupin arrinte mbi 72 lekë për litër.
Sipas të dhënave të Global Petrol Prices, Shqipëria renditej e nënta në botë për çmimin e naftës dhe e pesta në Europë, pas vendeve si Finlanda, Holanda, Zvicra dhe Danimarka. Ndryshimi thelbësor është se këto vende kanë nivele të ardhurash shumëfish më të larta se Shqipëria.
Paradoksi shqiptar është se çmimet e larta nuk kanë sjellë ulje të konsumit. Përkundrazi. Në 25 vitet e fundit importet e naftës janë rritur 2.2 herë. Vetëm gjatë vitit 2025 në vend u importuan rreth 7.409 mijë tonë karburant, ekuivalente me rreth 707 litra për çdo automjet.
Kjo varësi nga nafta nuk është vetëm ekonomike, por edhe fiskale. Gjatë vitit 2025, shteti arkëtoi rreth 73.6 miliardë lekë nga taksat mbi karburantet, ose afro 9.8% të të gjitha të ardhurave buxhetore. Praktikisht, një në çdo dhjetë lekë që hyn në buxhet vjen nga konsumi i naftës.
Kjo krijon një dilemë politike. Sa më shumë rritet konsumi i karburantit, aq më shumë rriten të ardhurat e shtetit. Në të njëjtën kohë, çdo ulje e ndjeshme e barrës fiskale mbi naftën do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për financat publike.
Ndërkohë, edhe vetë shteti është një konsumator i madh karburanti. Vetëm në vitin 2025, institucionet publike shpenzuan rreth 3.63 miliardë lekë për karburant dhe vajra, duke u bërë njëkohësisht përfitues dhe pagues të sistemit aktual.
Kriza e Hormuzit tregoi se sa të ekspozuara mbeten ekonomitë europiane ndaj goditjeve gjeopolitike. Analistët ndërkombëtarë të energjisë paralajmërojnë se edhe në rast të një marrëveshjeje që do të rikthente lundrimin normal në Ngushticën e Hormuzit, çmimet e karburanteve nuk pritet të rikthehen shpejt në nivelet para krizës.
Rezervat globale të naftës mbeten të ulëta dhe do të nevojitet kohë që furnizimet të normalizohen, ndërsa rafineritë të përpunojnë sasitë shtesë të naftës që do të rikthehen në treg. Për pasojë, presioni mbi çmimet mund të vazhdojë për muaj apo edhe vite.
Por në Shqipëri, problemi nuk fillon dhe nuk mbaron te tregjet ndërkombëtare. Kur më shumë se gjysma e çmimit të një litri naftë përbëhet nga taksa dhe tatime, çmimi final reflekton jo vetëm tensionet në Lindjen e Mesme, por edhe zgjedhjet fiskale të bëra në Tiranë.
Në mes të debatit për çmimet e larta të karburanteve, qeveria po shqyrton mundësinë e ndryshimit të formulës së përdorur nga Bordi i Transparencës për përcaktimin e çmimeve. Vendimi vjen pasi kompanitë importuese pretenduan se metodologjia aktuale nuk pasqyron kostot reale të tregut dhe paralajmëruan padi ndaj shtetit.
Sipas operatorëve, formula nuk reflekton rritjen e kostove operative dhe krijon një diferencë prej rreth 8.7 lekësh për litër, ndërsa humbjet e akumuluara për sektorin vlerësohen në rreth 7 milionë euro, çka nënkupton një rritje të mëtejshme potenciale të çmimeve të karburanteve në Shqipëri. /acqj.al/
© SYRI.net