Bankat vlerësojnë rrezikun e goditjeve nga jashtë dhe rrezikun e përkeqësimit të ekonomisë së brendshme si dy rreziqet kryesore për sistemin financiar në vend.
Rezultatet e vrojtimit të kryer nga Banka e Shqipërisë mbi perceptimin e rreziqeve sistemike në vend nga industria bankare për gjysmën e dytë të vitit 2025, treguan se pasiguria e lartë që ka shoqëruar zhvillimet ekonomike dhe gjeopolitike gjatë vitit 2025 ka ndikuar në rritjen e shqetësimit të bankave për transferimin e goditjeve nga jashtë, duke e renditur këtë rrezik sërish si më të rëndësishmin e periudhës, ndonëse me një vlerësim disi më të zbutur krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2025.
Megjithatë, duke pasur parasysh rritjen e tensioneve gjeopolitike në fillim të vitit 2026, Banka e Shqipërisë hipotizon se perceptimi i sektorit bankar mbi këto rreziqe mund të ndryshojë sërish këtë vit.
Rreziku lidhur me luhatjen e vlerës së pasurive të paluajtshme ka vijuar të mbetet në grupin e rreziqeve kryesore, duke u klasifikuar si rreziku i tretë më i rëndësishëm i periudhës.
Dinamikat e viteve të fundit në tregun e pasurive të paluajtshme dhe rritja e vazhdueshme e çmimeve, kanë shtuar shqetësimin e bankave lidhur me ecurinë e ardhshme të tregut, në kushtet kur një pjesë e konsiderueshme e portofoleve të kredisë është e ekspozuar ndaj aktivitetit të tij. Kjo është reflektuar dhe në rritjen e shpejtë të vlerësimit të këtij rreziku gjatë vitit 2025, por me një prirje në rënie në gjysmën e dytë të vitit.
Rreziku nga sulmet kibernetike gjithashtu vazhdon të perceptohet si një ndër rreziqet më të rëndësishme të periudhës, megjithatë vlerësimi i tij është zbutur në gjysmën e dytë të vitit 2025.
Pavarësisht rritjes së rrezikut kibernetik gjatë viteve të fundit, për shkak të avancimit të digjitalizimit të aktivitetit bankar dhe sulmeve kibernetike që kanë ndodhur në infrastrukturën digjitale të shtetit shqiptar, është rritur paralelisht dhe niveli i ndërgjegjësimit të sektorit bankar mbi të. Shumica e bankave tashmë kanë marrë masa konkrete për përmirësimin e vazhdueshëm të sistemeve mbrojtëse, çka ka ndikuar në zbutjen e perceptimit mbi rëndësinë sistemike të këtij rreziku.
Së fundi, perceptimi mbi rreziqet e tregut që mund të burojnë nga luhatja e kursit të këmbimit, ndryshimi i normave të interesit, mungesa e likuiditetit etj., ka mbetur në nivele minimale ose në rënie. Rreziku nga luhatja e kursit të këmbimit dhe konkretisht forcimi i Lekut kundrejt Euros, ndonëse mbetet në grupin e rreziqeve kryesore, duket se është zbutur gradualisht nga niveli “mesatar” në “i ulët”, gjë që mund të tregojë, veç të tjerash, stabilizimin e këtij treguesi në një ekuilibër të ri.
Bankat vlerësojnë se mundësia e materializimit të rreziqeve niset nga një nivel i ulët në afatin e shkurtër, por rritet me zgjatjen e afateve kohore. Mundësia e materializimit të rreziqeve, vlerësohet nën nivelin mesatar.
Në terma të përgjithshëm, deri në fund të vitit 2025, bankat perceptonin se mundësia e materializimit të një ose disa prej rreziqeve të lartpërmendura në të ardhmen afatshkurtër (deri në një vit) ishte nën nivelin mesatar dhe ky perceptim ka mbetur i pandryshuar krahasuar me gjysmën e parë të vitit. Kur diskutohet për periudhën afatmesme (1-3 vjet), ky perceptim shfaqet më i lartë dhe në rritje.
Gjithsesi, duke pasur parasysh përshkallëzimin e tensioneve gjeopolitike në tremujorin e parë të 2026-ës, dhe efektet zinxhir që mund të pasojnë, panorama e rreziqeve sistemike dhe perceptimet mbi to pritet të ndryshojnë në periudhat në vijim. Megjithatë, situata e mirë financiare e sektorit bankar dhe likuiditeti i bollshëm kanë bërë që besimi i bankave në qëndrueshmërinë e sistemit financiar në të ardhmen të mbetet mbi nivelin mesatar dhe i pandryshuar./ Monitor
© SYRI.net