'Projektligji i energjisë', Eksperti: Sistemi i OSHEE abuziv, ligji i ri e rëndon më shumë qytetarin

09:53, 06/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një projektligj i ri për sektorin e energjisë elektrike, ndonëse synon të përafrojë legjislacionin shqiptar me direktivat e Bashkimit Europian, përmban nene problematike që rrezikojnë ta shndërrojnë atë në një “kamzhik” kundër qytetarëve dhe bizneseve.

I ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto', eksperti i energjisë Olsi Karapici tha se ky ligj hap rrugën për masa ekstreme si bllokimi i pronave për fatura relativisht të vogla, pa adresuar më parë problemet themelore dhe abuzimet brenda sistemit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).

Kritika kryesore ndaj projektligjit është se ai vendos detyrime të rënda mbi konsumatorin, pa i ofruar këtij të fundit asnjë garanci apo të drejtë përballë një sistemi shpesh abuziv.

Kontrata mes furnizuesit dhe klientit duhet të jetë dypalëshe, ku të dyja palët kanë detyrime. Para se t’i kërkohet qytetarit korrektësi absolute, duhet që vetë sistemi elektroenergjetik të jetë funksional, transparent dhe i përgjegjshëm.

Sipas ekspertit, një nga problemet më të mëdha që e bën këtë ligj potencialisht abuziv është mungesa e theksuar e infrastrukturës matëse.

Në Tiranë, nga rreth 25,000 kabina elektrike, vetëm 20% e tyre janë të pajisura me matës bilancierë, të cilët shërbejnë për të matur saktë humbjet teknike dhe joteknike në rrjet. Mungesa e matësve në fiderat kryesorë e bën të pamundur pasjen e një tabloje reale të gjendjes.

Kjo situatë i lë hapësirë operatorit që, për të mbuluar humbjet apo për të rritur artificialisht të ardhurat, të ngarkojë klientët me fatura abuzive dhe borxhe fiktive. 

Deklarata e plotë:

 “Ligji në mënyrë të tillë që të jetë dhe i aplikueshëm, duhet të jetë sa më i thjeshtë në mënyrë të tillë që dhe njerëzit ta kuptojnë edhe zbatueshmëria të jetë më e thjeshtë.  E dyta punës është që në çastin që ka ndryshime të tjera ligjore, atëherë ky ligj duhet, çdo ndryshim duhet të shkosh në parlament.

Pra, dhe për për gjëra të vogla. Prandaj ligji bëhet i thjeshtë, në mënyrë të tillë që ndryshimet të jenë me akte nënligjore, jo me, me ndryshim ligjor. Ajo që kam vënë re unë është që ky është një ligj i copy-paste praktikisht, i direktivës së komunitetit europian.

Po ta shohësh dhe ligjin, besoj që do të ketë ndryshime, ka përkthime, terminologjisë, ca shqip, ca anglisht e të tjera e të tjera, kështu me radhë.

Por, ajo që vë re unë dhe që më bën përshtypje është që ligji nuk duhet të kthehet në kamzhik për për bizneset dhe familjarët e të parë e punës, sepse e para njëherë duhet rregulluar sistemi elektroenergjetik, në vetvete. Pra, siç kërkon, duhet dhe të japësh. Pra, është kontrata është dypalëshe. Nuk mund të kërkosh vetëm të marrësh. pa rregulluar veten tënde njëherë në radhë të parë.

Unë po ju jap një shembull. Në Tiranë janë diku te 25.000 kabina që furnizojnë me energji elektrike. Rreth 20% kanë të instaluara ato që quhen matësa bilancierë, pra, që bëjnë bilancin energjetik, që shohin realisht humbjet teknike dhe jo teknike.

Pjesa tjetër nuk ka matës në fider, pra, në furnizuesin kryesor, ta kthej nga ana jo teknike.  Pra, është një kabëll që furnizon me energji shumë kabina, pra shumë pallate e të tjera e kështu me radhë, të cilët janë pa matësa.

Nuk ka një situatë reale të ëh, të gjendjes vetë të, po themi, të operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike. N ë këtë moment, ti nuk mund të kërkosh nga klienti fundor të jetë i mirë, me pagesa e të tjera e të tjera kështu me radhë, në çastin që ti nuk e ke ëh, situatën nën kontroll.

Dhe për mendimin tim, kjo mund të lërë vend për abuzime, sepse për të rritur të ardhurat, ti fillon dhe ngarkon klientët me borxhe ekstra".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco