Bonus-malus, ndëshkim në para për shkaktarët e aksidenteve

Bonus-malus, ndëshkim në para për shkaktarët e aksidenteve

07:08, 17/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Sistemi bonus-malus penalizon drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar dëme, ndërsa nxit ata që nuk kanë shkaktuar dëme. Bonusi do të jetë rreth 3% dhe llogaritet se prej tij do të përfitojnë rreth 96% e drejtuesve. Ndërkohë, malusi për shkaktarët e dëmeve fillon nga 18%. Siguruesit e cilësojnë si një hap të rëndësishëm, sepse për herë të parë, shkaktarët e dëmeve do të penalizohen në primin e sigurimit.

Nga 1 janari 2026, nisi aplikimi i sistemit bonus-malus në sigurimet e detyrueshme motorike.

Sistemi bonus-malus parashikon që drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar dëme do të paguajnë një prim sigurimi më të lartë në vitin pasardhës, ndërsa ata që nuk shkaktojnë dëme, një prim më të ulët.

Për drejtuesit që kanë shkaktuar një dëm të vetëm do të llogaritet një koeficient 1.18 mbi primin bazë, ndërsa për ata që kanë shkaktuar dy ose më shumë dëme do të aplikohet një koeficient 1.39.

E thënë ndryshe, drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar një dëm vitin e kaluar do të penalizohen me një malus në masën 18%, ndërsa ata që kanë shkaktuar dy dëme ose më shumë, do të penalizohen me një malus në masën 39%.

Ndërkohë, drejtuesit e mjeteve që nuk kanë shkaktuar dëme gjatë vitit 2025 do të përfitojnë një bonus prej 3% në çmimin e sigurimit të detyrueshëm TPL.

Aplikimi i sistemit bonus-malus është i parashikuar në ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, që ka hyrë në fuqi në vitin 2021. Megjithatë, ligji e parashikon si të drejtë të kompanive të sigurimit, por jo si një detyrim.

Zbatimi i parimit bonus-malus u bë i mundur vetëm pas miratimit të rregullores “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Kjo rregullore hyri në fuqi në fillim të vitit 2025, por pa përfshirë elementin bonus-malus, që ka nisur të aplikohet prej 1 janarit të këtij viti./Monitor

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco