Një nga arritjet më të mëdha të qeverisjes së PD, gazsjellësi TAP, po jep fryte jo vetëm si një zgjidhje ekonomike, por edhe gjeostrategjike. Gazi i TAP ka mbërritur në Gjermani, duke zëvendësuar kështu varësinë nga gazi rus
Azerbajxhani ka nisur tani të furnizojë me gaz natyror edhe Gjermaninë dhe Austrinë Përmes Korridorit Jugor të Gazit. Kompania shtetërore e energjisë Socar ka filluar furnizimet.
Gazi transportohet përmes gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP), i cili shtrihet nga kufiri greko-turk, përmes Greqisë dhe Shqipërisë, deri në Italinë e Jugut. Prej andej, ai dërgohet më tej drejt veriut.
“Dërgesat, që kalojnë përmes Italisë drejt Austrisë dhe Gjermanisë, zgjerojnë shtrirjen gjeografike të gazit azerbajxhanas në Evropë”, thuhet në njoftim.
Me tregjet e reja, numri i vendeve që importojnë gaz nga Azerbajxhani ka arritur në 16.
Kërkesa për gaz azerbajxhanas është rritur që kur Evropa, pas pushtimit rus të Ukrainës, po përpiqet të zvogëlojë varësinë nga furnizimet ruse.
Në qershor, Socar nënshkroi një kontratë dhjetëvjeçare me furnizuesin gjerman të energjisë Sefe për dërgimin e 1,5 miliardë metra kub gaz në vit. Sefe, ish-Gazprom Germania, u shpëtua nga falimentimi nga qeveria federale gjermane gjatë krizës energjetike të vitit 2022.
Sipas një burimi të brendshëm të Socar, në Austri pritet të dërgohen deri në një miliard metra kub gaz në vit. Eksportet totale të gazit të Azerbajxhanit drejt Evropës në vitin 2025 arritën në 12,8 miliardë metra kub. Megjithatë, një rritje e mëtejshme e eksporteve varet nga investimet dhe zgjerimi i kapaciteteve të gazsjellësve.
Azerbajxhani është prej gati 20 vitesh eksportues neto i gazit natyror. Rezerva të mëdha janë zbuluar në brigjet detare. Fillimisht, vendi furnizonte vetëm shtetet fqinje si Turqia, Gjeorgjia ose Rusia. Ndër gazsjellësit kryesorë është edhe Ghazi-Magomed-Mozdok, përmes së cilës gazi mund të transportohet në të dy drejtimet.
Në fillim të vitit 2025, gjatë debatit mbi furnizimet me gaz azerbajxhanas përmes Ukrainës drejt Evropës, organizata joqeveritare ‘Crude Açountability’ paralajmëroi për rrezikun “që gazi rus të shitej në tregjet evropiane me etiketë azerbajxhanase”. Sipas këtij shqetësimi, kjo do të minonte përpjekjet e Evropës për diversifikimin e furnizimit me energji dhe do të rriste rrezikun e eksporteve të fshehta ruse të gazit, pavarësisht sanksioneve ekzistuese.
© SYRI.net