Prodhuesit shqiptarë të verës përballen me një barrë fiskale deri në 20 herë më të lartë se homologët e tyre në vendet me traditë të prodhimit, si Italia, Franca apo Spanja. Kjo taksë, e njohur si akcizë, po kthehet në një pengesë serioze për zhvillimin e sektorit vendas, duke rrezikuar konkurrencën dhe rritjen e një prej produkteve më emblematike të agrikulturës shqiptare.
I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, somelieri Dashamir Elezi u shpreh se prodhuesit shqiptarë të verës po përballen me një barrë fiskale të padrejtë, duke paguar një akcizë deri në 20 herë më të lartë se vendet tradicionale prodhuese si Italia dhe Franca. Elezi theksoi se, ndryshe nga këto vende ku taksa është simbolike vetëm 7–8 euro për hektolitër në Shqipëri prodhuesit taksohen si për lëngun, ashtu edhe për ambalazhin e qelqit, duke rënduar gjithë industrinë.
Ai nënvizoi se Somelieria e Shqipërisë ka kërkuar prej vitesh rimbursimin e akcizës për prodhuesit vendas, me argumentin se ndikimi i kësaj takse në buxhet është minimal më pak se 2 milionë euro ndërsa dëmi ndaj agrikulturës dhe ekonomisë rurale është i madh.
Sipas Elezit, shteti duhet të ndjekë rrugën e vendeve prodhuese dhe të mbështesë realisht verën “Made in Albania”, në vend që ta penalizojë me taksa të tepruara.
Pjesë nga deklarata:
Janë të ndara situatat: akciza përsa i përket prodhimit të lëngut dhe akciza e qelqit. Duhet të kemi parasysh që prodhuesit, qoftë të birrës, qoftë të verës, kanë një taksë akcize për atë që është ambalazhi, pra qelqi. Përsa i përket akcizës në prodhim, në vendet prodhuese të birrës kudo, ato janë të taksuara tek akciza, për arsye se birra është një nga produktet më të përhapura dhe më të shitura në të gjitha vendet ku natyrisht lejohet pija alkoolike. Ndërsa përsa i përket verës, në vendet më të vjetra prodhuese si Franca, Italia, Spanja dhe Greqia, nuk ka akcizë të saktë mbi litrat apo hektolitrat e verës së prodhuar. Aty flasim për një taksë aforfe, e cila, në fakt, nga vetë prodhuesit vendas, sidomos në Itali dhe Francë, konsiderohet krejtësisht qesharake po flasim për 7-8 euro për hektolitër verë. Ndërkohë që në Shqipëri është të paktën 20-fish. Ishte një problem i kahershëm, të cilin realisht, si Somelieria e Shqipërisë, e kemi ngritur disa herë me doganën. Natyrisht, nuk ka qenë ndoshta porta e duhur ku duhet të trokisnim, por ata e kanë konkorduar atë që ka qenë propozimi ynë.
Propozimi ynë ka qenë shumë i thjeshtë: është e vërtetë që me anë të akcizës mbrohet, le të themi, shëndeti, sepse në fund fare ka një rritje të çmimit të produktit në një përqindje të caktuar. Përtej faktit që nuk duhet të lejohet shitja apo konsumi i një produkti alkoolik nën moshën 18 vjeç. Por ajo që u kemi propozuar gjithmonë ka qenë rimbursimi i akcizës. Pra, ka qenë një lloj politike që duhet bërë nga shteti që në fillesat e saj.
Për arsye se, vërtetë ne marrim si shembull Danimarkën, Gjermaninë, SHBA-në, apo ku di unë, por ne duhet të marrim së pari si shembull ata që janë prodhuesit e kahershëm. Çfarë rruge kanë bërë ata në atë që është ekonomia e tyre në këtë fushë dhe, mbi të gjitha, si do ta subvencionojmë produktin shqiptar për t’i dhënë mundësinë atyre që jetojnë me këtë lloj fushe ta përhapin dhe ta zhvillojnë ekonominë, ta zhvillojnë agrikulturën dhe, mbi të gjitha, të kemi mundësi edhe ne të mburremi me atë çka na jep toka dhe klima. Më falni… me produktin “Made in Italy”, “Made in Albania”.
Kështu që, përsa i përket akcizës, është e vërtetë që akciza është një taksë mbi taksë. Në fakt, përtej akcizës duhet të bëjmë edhe llogaritjen e taksës mbi vlerën e shtuar. Në një farë mënyre… je… Të ardhurat nga akciza në total te doganat kanë qenë rreth 64–65 milionë euro. Siç parashikohet, këtë vit pritet të jenë rreth 74.5–75 milionë euro. Ajo që ndikon akciza e verës tek totali i akcizave e verës shqiptare, e kam fjalën është më pak se 2 milionë euro. Pra, imagjinoni vetë: nëse do t’i rimbursohej akciza në një formë tjetër, ose duke ulur taksimin përsa i përket kontributeve, ose duke dhënë mundësinë që në fund fare t’u hapej rruga të punësonin persona të tjerë brenda në… po kantinë.
© SYRI.net