78% e votuesve mendojnë se vendosja e tatimit për profesionet e lira është e padrejtë

78% e votuesve mendojnë se vendosja e tatimit për profesionet e lira është e padrejtë

13:45, 23/01/2024
A+ Aa A-

Një sondazh i zhvilluar nga Monitor ka treguar se për shumicën e pjesëmarrësve regjimi i ri fiskal për profesionet e lira nuk është i drejtë.

41% e pjesëmarrësve në sondazh janë shprehur se ky regjim i ri nuk është i drejtë, pasi krijon paqëndrueshmëri fiskale dhe dizavantazh konkurrues.

Pothuajse 37% e votuesve në sondazh gjithashtu mendojnë se regjimi i ri fiskal nuk është i drejtë, por me argumentin se profesionistët e lirë nuk duhet të diferencohen nga bizneset e tjera të vogla në vend, që deri në vitin 2029 do të vazhdojnë të jenë të përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat.

Në total, 78% e votuesve në sondazh e vlerësojnë të padrejtë aplikimin e tatimit në masën nga 15% deri në 23% për profesionistët e lirë.

Vetëm 22% e votuesve janë të mendimit se regjimi i ri fiskal është i drejtë, sepse edhe profesionistët e lirë duhet të paguajnë tatime, ashtu siç paguajnë homologët e tyre të punësuar dhe punëmarrësit në përgjithësi.

Që nga 1 janari 2024, profesionistët e lirë në Shqipëri me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë do të paguajnë tatim mbi fitimin në shkallën 15%. Fitimi i tatueshëm do të llogaritet duke zbritur nga të ardhurat totale një vlerë të njohur shpenzimesh në masën 30%, ose në rast të kundërt duke mbajtur kontabilitet të plotë të ardhurave dhe shpenzimeve.

Ndërkohë, profesionistët e lirë me xhiro me qarkullim vjetor mbi 14 milionë lekë do të tatohen në masën 23% të fitimit.

Sipas një shkrese të dërguar në janar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për tatimpaguesit që janë subjekt i ndryshimeve ligjore, për llogaritjen e tatimit paraprak të vitit 2024, do të përdoren të dhënat që kjo kategori biznesesh do të deklarojnë për të ardhurat dhe shpenzimet e 2023.

Të dhënat e deklaruara për të ardhurat, shpenzimet dhe fitimin e tatueshëm, që bizneset do të deklarojnë për vitin e kaluar do të jenë më tej objekt i vlerësimit nga Administrata Tatimore për përllogaritjen e tatim fitimit paraprak gjatë vitit 2024.

Kjo skemë është e njëjtë me atë që përdoret për bizneset e mëdha, të cilat e parapaguajnë tatim fitimin bazuar në fitimet e viteve të mëparshme.

Sipas vlerësimeve të Ministrisë së Financave, skema e re e tatimit të profesioneve të lira do të prekë gjithsej rreth 29 mijë subjekte.

Sipas relacionit të projektbuxhetit 2024, të ardhurat e programuara në buxhet nga kjo kategori janë parashikuar në rreth tre miliardë lekë./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco