'Duam një teke' - Turistët kërkojnë traditën shqiptare, nxisin modelet e reja të biznesit

'Duam një teke' - Turistët kërkojnë traditën shqiptare, nxisin modelet e reja të biznesit

07:49, 23/09/2023
A+ Aa A-

Turistët po bëhen ambasadorë të papritur të kulturës së vendit. Nga panairet e shumta të zejtarisë te koncertet e muzikës folklorike, përfshirë degustimet e kuzhinës tradicionale dhe te netët shqiptare në hotelet e shumta të bregdetit, turistët kërkojnë gjithmonë e më shumë identitetin e vërtetë shqiptar. Larg kullave, familjet tiranase po tentojnë të zbatojnë projektin “Portat e Hapura”, me promovimin e vilave tradicionale. Nga kuzhina e huaj, lokalet po kalojnë te ushqimi tradicional. Si ringjallja e traditës po krijon modele të reja biznesi, shkruan Armela Toska në Monitor.

Kur e gjithë Tirana po mbushet me kulla dhe shtëpitë e vjetra po shemben, duke ua lënë vendin qiellgërvishtësve, Xhimi Begeja, mjeshtri i madh i sportit të alpinizmit, pjesëtar i një prej familjeve më të vjetra të Tiranës, kujton fjalët që i pati thënë gjyshi kur ishte i vogël.

“Floriri është poshtë këmbëve, po s’ia dimë kimetin”, pohon ai, teksa na tregon banesat e vjetra të familjes së tij. “Atëherë nuk e dija për çfarë e kishte fjalën, tani e kuptoj mirë”.

Z. Begeja thotë se tani e di që floriri ishte trashëgimia, historia e lënë nga paraardhësit. Me këtë mirëkuptim të ri, ai dhe familja e tij janë përpjekur të ruajnë sa më mirë vilat e vjetra që kanë trashëguar, duke i rindërtuar dhe duke u dhënë atyre jetë si më parë, sidomos tani që vendi po përjeton një lulëzim turistik dhe interesimi i të huajve për trashëgiminë e vendit po rritet dita-ditës.

Dëshira e Xhimit dhe e familjes së tij për të ruajtur çfarë ka mbetur nga historiku arkitekturor i Tiranës është shtrirë përtej asaj çfarë ata zotërojnë. Së bashku me disa nga fqinjët e tij, teksa pinin kafenë e mëngjesit, vendosën që “floriri” i tyre të ruhej dhe t’u shfaqej të tjerëve si atraksion.

Ata menduan për një qytezë të vjetër që Tirana si kryeqytet europian nuk e ka.

“Jemi 15-20 familje, këtu janë nëntë vila dhe duam t’i restaurojmë, të ruhet çfarë na është dhënë, mundi i familjeve tona. Këtu është bërë histori, të mos bëhen kulla, por të restaurohen.

Një pjesë që nuk mund të restaurohen, për shkak të degradimit, do të rindërtohen në harmoni me stilin e dikurshëm”, – shprehet z. Begeja.

Nisma e tyre, e quajtur “Portat e hapme” vjen teksa rrokaqiejt po ua marrin frymën e kryeqytetit, në forma dhe karakteristika të arkitekturës moderne pa asnjë vlerë të ndërtesave të vjetra. Tirana po humb identitetin e saj.

Fqinjësia e mirë, kafeja e mëngjesit, muzika tironse, fërgesa, vallja popullore dhe vilat e vjetra janë disa nga vlerat e shumta të qytetit. Por mes kullave të shumta, modernizimit dhe urbanizimit, këto vlera po shihen gjithnjë e më pak.

Të nxitur nga kërkesat dhe interesi i turistëve, banorët e kësaj lagjeje, dhe shumë sipërmarrës të tjerë, po e kuptojnë gjithnjë e më shumë rëndësinë e traditës, historisë, identitetit të vërtetë të Shqipërisë, që ishte harruar pak nga pak.

Qytetet shqiptare, si asnjëherë më parë, janë të mbushura me turistë të shumtë, në kërkim të traditës dhe kulturës autentike shqiptare.

Muzikë tradicionale në sfond, tavolina prej druri të mbushura plot, dhe aromat e mrekullueshme të kuzhinës shqiptare shpërthejnë në ajër.

Kjo është panorama që shfaqet në çdo restorant shqiptar këto ditë të nxehta vere, ku gjithmonë e më shumë po kërkohen dhe shfaqen vlerat e kulturës shqiptare.

Në një kohë kur bota po përjeton transformime të vazhdueshme dhe moderniteti dhe globalizimi kanë ndryshuar rrënjësishëm zakonet dhe kulturën e shumë vendeve, shqiptarët po bëjnë një përpjekje të guximshme për të rivendosur vlerat, traditat dhe identitetin e tyre.

Nga panairet e shumta të zejtarisë te koncertet e muzikës folklorike, përfshirë degustimet e kuzhinës tradicionale dhe te netët shqiptare në hotelet e shumta të bregdetit, turistët kërkojnë gjithmonë e më shumë identitetin e vërtetë shqiptar.

Turistët bëhen ambasadorë të papritur të kulturës së një vendi, duke biseduar me vendasit dhe duke shkëmbyer përvojat. Shkëmbimi kulturor po i ndihmon shqiptarët të rikthehen te vlerat dhe traditat, që ndonjëherë mund të jenë harruar.

Në shijen e Kuzhinës Shqiptare – Udhëtimi Gastronomik i turistëve të huaj

Shqipëria është një destinacion turistik me peizazhe të mahnitshme dhe histori të pasur. Por, një nga pasuritë më të fshehura dhe të çmuara të vendit është kuzhina autentike.

Kuzhina shqiptare është një ndërthurje e ndikimeve të kuzhinës turke, asaj ballkanike dhe europiane.

Pjatat tona reflektojnë identitetin e një kombi të pasur në histori dhe kulturë. Përmes trashëgimisë së vjetër dhe ndikimeve të reja, ajo vazhdon të zhvillohet, duke ofruar një menu të pasur dhe shije të paharrueshme.

Një vizitë në kuzhinat shqiptare të çon në një udhëtim kulinar për të zbuluar aromën e historisë dhe shijen e një kombi.

Kuzhina tradicionale shqiptare ofron pjata të pasura me shije të thella. Specialitete të tilla si tava e kosit, fërgesa, byreku, mishi i kecit në hell e shumë gatime të tjera janë pjesë e kulturës kulinare dhe kthehen në një përvojë autentike për vizitorët.

“Më pëlqeu pafund shumëllojshmëria e verërave dhe rakisë, gjithashtu ëmbëlsirat ishin fantastike. Atmosfera kudo është përrallore”, thotë Andor, turist nga Teksasi që ka vizituar së fundmi Shqipërinë.

Petrit Fiska, nga Agroturizëm Alpeta, shprehet se numri i turistëve që frekuentojnë fermën e tij është shtuar me 25 – 30% çdo vit.

“Ne kemi vetëm ushqime tradicionale, kryesisht të zonës së Beratit. Që nga hapja e restorantit, ne kemi pasur mijëra vizitorë, numri i të cilëve është rritur me 25-30% më shumë çdo vit.

Lakrori, yshmeri, byreku, mishi i kecit janë nga më të preferuarat.

Sa më shumë autentik të jetë ushqimi, aq më të kënaqur mbeten klientët tanë, që gjatë sezonit të verës janë më të shumtë të huaj.

Tavolinat e restoranteve vendase janë të mbushura plot gjatë gjithë sezonit turistik. Kuzhina tradicionale është në qendër të vëmendjes, duke ofruar ushqim të freskët dhe autentik.

Kjo ka sjellë rritjen e kërkesës për produkte të prodhuara lokalisht, duke nxitur fermerët dhe kultivuesit të përdorin metodat tradicionale të kultivimit dhe mbjelljes.

Përdorimi i produkteve të freskëta vendase për recetat e trashëguara brez pas brezi, është bërë një vlerë e rëndësishme për ata që duan të shijojnë autenticitetin e kuzhinës shqiptare.

Restorantet që kanë vendosur të përcjellin këto receta u drejtohen fermerëve dhe blegtorëve vendas për të furnizuar biznesin e tyre.

Johana Bano, bashkëthemeluese e Fustanella Farm, tregon që të gjitha produktet e tyre janë nga fermat e vendit. “Fasulja e Korçës, Vaji i Beratit e shumë produkte janë vendase.

Prodhimet e mishit te ne sigurohen në ferma të tjera të ngjashme, që kanë përparësi blegtorinë. Të gjitha produktet që përdorim janë vendase, kështu sigurojmë pjata sa më autentike” – shprehet znj. Bano.

“Pjatat më të preferuara në Shqipëri për shumë restorante janë mishi i kecit dhe byreku i gatuar në mënyra të ndryshme.

Petulla të fshira ‘Made in Korça’, Shapkat nga Çamëria, Fërgesë ‘Si qëmoti’, Dollma ‘Si nga dora e gjyshes’, Tava e kosit, Qofte furre me domate dhe narden janë pjatat më të kërkuara në restorantin tonë” – shprehet Jurgen Bame, drejtori i marketingut të “ERA Restorant”.

Pjata më e kërkuar është mishi i qengjit dhe byreku i pjekur në saç. – tregon Andi Prifti, administrator i “Oda Garden”, një nga restorantet më të kërkuar si nga vendasit, edhe turistët për sa u përket pjatave tradicionale.

Këto pjata shoqërohen gjithmonë me pijet tradicionale të vendit. Gjithashtu me çmime shumë të arsyeshme.

Edhe vera e rakia po tërheqin turistët. Krahas tureve të verës, risia është dhe interesi për rakinë./MONITOR

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco