SYRI TV/ Rama, dhuratë tjetër për guaskën e Durrësit: U jep 818 hektarë

12:47, 08/03/2023
A+ Aa A-

Një sipërfaqe prej 818 hektarësh truall shtetëror i kanë kaluar me vendim qeverie kompanisë, e cila do të investojë te “Durrës Yacht Marina”. Brenda një viti, Rama rriti dhuratat për guaskën e Durrësit, kompani e cila ka fituar statusin e investitorit strategjik, por që ka origjinën në zonën offshore të ishujve Kajman

SYRI TV

Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama kaloi në administrim të kompanisë shtetërore “Albanian Seaport Development” sipërfaqen prej 818 hektarësh, e cila përbën pjesë të kontributit të qeverisë shqiptare në investimin strategjik “Durrës Yacht Marina”.

Sipas vendimit të miratuar në 1 mars 2022, shoqëria publike është e detyruar të përdorë pronën shtetërore, duke respektuar marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe kompanisë e regjistruar në Dubai, “Eagle Hills Real Estate”.

Kompania që ka fituar statusin e investitorit strategjik ka origjinën në zonën offshore të ishujve Kajman dhe aktualisht ka të njohur vetëm pronarin që zotëron 40 përqind të saj, Mohamed El Alabar.

Dokumentet qeveritare tregojnë se në harkun kohor të një viti, qeveria ka rritur në mënyrë të ndjeshme sipërfaqen publike që do të vendosë në dispozicion të ndërtimit të komplekseve rezidenciale masive në qendër të Durrësit.

Në 29 dhjetor të vitit 2021, Këshilli i Ministrave vendosi që të vendoste në funksion të projektit privat truallin me sipërfaqe 80.9 hektarë. Rreth 6 muaj më pas, në 21 korrik 2022, qeveria korrigjoi vendimin e mëparshëm. Kompania me pronar të njohur vetëm Alabarin, merr dhuratë edhe rreth 12 mijë metra katror truall ndërtimor.

Nuk përfundon këtu. Në tetor 2022, qeveria e Edi Ramës rishikon sërish vendimet e mëparshme, duke i shtuar edhe mbi 6 mijë metra katror truall publik në qendër të Durrësit kompanisë me fillesa offshore. Tashmë, në funksion të projektit ndërtimor janë në dispozicion 818 hektarë pronë publike, duke shënuar në këtë mënyrë dhuratën më të madhe që qeveria i bën një subjekti privat.

Parlamenti miratoi pak javë më parë marrëveshjen ndërmjet qeverisë shqiptare dhe kompanisë “Eagle Hills Real Estate” vetëm me votat e socialistëve të Edi Ramës. Opozita parlamentare e ka kundërshtuar projektin, duke e konsideruar si mafioz dhe një skemë gjigante për pastrim parash të grupeve kriminale. 

Edhe Bashkimi Europian dha sinjale që nuk është dakord me këtë projekt të mbështetur fuqishëm nga Edi Rama.

Në mëntor të vitit 2022, Komisioni Europian vendosi të anulojë një grant në vlerë 28 milionë euro, të parashikuar për forcimin e kapaciteteve në Portin e Durrësit, i cili tashmë mendohet që mund të zhvendoset në Porto Romano.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco