SYRI TV/ Asfalt elektoral e fasada, FSHZH shton edhe 5 mln euro të tjera

11:34, 07/03/2023
A+ Aa A-

Edhe në zgjedhjet lokale të 14 majit, qeveria shqiptare do të përdorë asfaltin elektoral, si mjet për të siguruar vota në favor të PS. Në fund të vitit 2022, Fondi Shqiptar i Zhvillimit mbylli dhjetëra tendera për asfaltim dhe rregullim fasadash me vlerë totale 35 milionë euro. Megjithatë, ende pa nisur zbatimi i tyre, Dritan Agolli ka vendosur të shtojë me rreth 5 milionë euro të tjera fondin total, me argumentin se ishin bërë llogaritë gabim

SYRI TV

Në dy muajt e fundit të vitit 2022, Fondi Shqiptar i Zhvillimit mbylli një duzinë tenderash për asfalt elektoral dhe rregullim fasadash, me vlerë totale mbi 35 milionë euro.

Por, ende pa nisur zbatimi i kontratave, institucioni i drejtuar nga Dritan Agolli ka vendosur të shtojë me rreth 5 milionë euro të tjera fondin, nën argumentin se ishin bërë llogaritë gabim.

Syri Televizion ka identifikuar të paktën 14 kontrata të sapofirmosura, që do të përfitojnë rritje të fondit buxhetor. Thuajse të gjitha këto procedura lidhen me riparimin e shtresave asfaltike apo për fasada godinash në rajone të ndryshme të Shqipërisë. Procedura “Ndërhyrje për përmirësimin e shtresave asfaltike (rajoni 1 dhe 2)” i tenderuar me fond 4.6 miliardë lekë të vjetra, është shtuar me 930 milionë, duke arritur në vlerë totale prej 5.6 miliardë lekë të vjetra.

Tenderi për “Ndërhyrje rigjeneruese në blloqet e banimit rigjenerimi i stokut të banesave në rajonin 1dhe 2” ka marrë një shtesë prej mbi 900 milionë lekë të vjetra dhe procedura ka arritur në vlerën totale prej 5.5 miliardë lekë të vjetra nga 4.6 që ishte kur u mbyll gara.

Projekti “Ndërhyrje për përmirësimin e shtresave asfaltike (rajoni 3)” ka marrë një shtesë prej rreth 870 milionë lekë të vjetra, duke e çuar këtë investim në vlerë totale 5.2 miliardë lekë.

Në mënyrë të ngjashme është shtuar fondi edhe për rreth 11 procedura të tjera tenderuese të mbyllura në muajt e fundit.

Në total, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shtuar rreth 6.5 miliardë lekë të vjetra ose mbi 5 milionë euro.

Asfalti elektoral është një prej mekanizmave që përdoret shpesh në periudha para fushatave elektorale. Opozita ka akuzuar shpesh qeverinë e Edi Ramës se, nëpërmjet tenderave fasadë, shpërndan të mira materiale publike, në këmbim të sigurimit të votave për Partinë Socialiste.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco