VIDEO-SYRI TV/ Varfëria ekstreme rritet, qeveria ul fondin e ndihmës

11:17, 02/12/2022
A+ Aa A-

Në Shqipëri, fondet buxhetore për ndihmën ekonomike janë ulur në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit të kaluar, pavarësisht se kriza e rritjes së çmimeve po njeh vetëm rritje. Aktualisht trajtohen me ndihmë ekonomike afërsisht 9% e popullsisë në vend, ndërkohë që varfëria është e përhapur në 24% të popullsisë në Shqipëri, më e larta në Ballkanin Perëndimor

SYRI TV

Banka Botërore e indeksoi këtë vit me 20 përqind rritje kufirin relativ të varfërisë për shkak të krizës së çmimeve, por në Shqipëri fondet buxhetore për ndihmën ekonomike jo vetëm që nuk kanë pësuar rritje, por janë ulur në krahasim me periudhën e njëjtë 10-mujore të një viti më parë.

Kështu shkruan revista Monitor, e cila citon të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave.

Deri në fund të tetorit 2022, qeveria kishte shpërndarë 19.1 miliardë lekë për familjet në nevojë, që bëjnë pjesë në 20 përqindëshin më të varfër të popullsisë së vendit.

Shuma e shpërndarë duhet të ishte më e lartë se sa e vitit 2021, për shkak të se kriza e çmimeve i ka rritur kostot më shumë për varfrit, por në fakt ka qenë rreth 0.5% më e ulët se e një viti më parë.

Përdorimi i fondit buxhetor të ndihmës ekonomik nga qeveria ka shkuar në kundërshtim me këshillat e institucioneve financiare ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore dhe grupet e ekspertëve.

Në të gjithë botën qeveritë po aplikojnë paketa ndihme direkte dhe forma të tjera kompensimi tek familjet me të varfra si mjeti më efikas për ti mbrojtur ata nga rritja e çmimeve.

Në një studim të posaçëm, Banka Botërore ka evidentuar se Shqipëria do të përballet me një valë njerëzish që nuk janë të mbrojtur nga skema e sigurimeve shoqërore, për shkak të informalitetit të lartë në tregun e punës dhe nevojat për mbështetje financiare nga buxheti do të rriten.

Banka vuri në dukje se Qeveria e Shqipërisë duhet të marrë në konsideratë forcimin e mëtejshëm të programeve të saj të asistencës sociale, veçanërisht të Ndihmës Ekonomike, përtej funksionit aktual që ofron mbështetje e përkohshme për njerëzit e varfër.

Monitor shkruan se aktualisht trajtohen me ndihmë ekonomike afërsisht 9% të popullsisë në vend, ndërkohë që varfëria është e përhapur në 24% të popullsisë në Shqipëri më e larta në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se mbulimi mbetet shumë i ulët në raport me nevojën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco