Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës Sali Berisha

Rreziqet në rritje rreth ndërtimit nuk frenojnë kreditimin, në rritje me 38% për 7-mujorin

Rreziqet në rritje rreth ndërtimit nuk frenojnë kreditimin, në rritje me 38% për 7-mujorin

11:26, 22/09/2022
A+ Aa A-

Kredia për sektorin e ndërtimit këtë vit po shënon nivelet më të larta në të paktën gjashtë vitet e fundit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 7-mujorin 2022, kredia e re për ndërtimin kishte vlerën e 22.7 miliardë lekëve ose 194 milionë eurove. Kredia e re për sektorin e ndërtimit është rritur me 38% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vlera totale e portofolit të kredisë për ndërtimin në fund të muajit korrik arriti në 70.4 miliardë lekë, në rritje vjetore me pothuajse 30%.

Kredia për ndërtimin po përjeton një fazë të re rritjeje, e nxitur nga zhvillimet në sektorin e pasurive të paluajtshme, sidomos në kryeqytet dhe bregdet. Mbështetur në të dhënat e INSTAT, për 6-mujorin 2022, vlera e lejeve për ndërtesa, përfshi rikonstruksione, ishte rreth 60 miliardë lekë, në rritje me 54% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa sipas Bankës së Shqipërisë, rritja mesatare vjetore e çmimeve të pasurive të paluajtshme për vitin e kaluar shënoi nivelin 9%.

Rritja e çmimeve ka inkurajuar jo vetëm sipërmarrësit, por po nxit edhe më shumë bankat t’i mbështesin këto projekte. Megjithëse pjesa më e madhe e investimeve në ndërtim po financohet me burime të tjera, edhe bankat tregtare po e shfrytëzojnë ecurinë e favorshme në tregun e pasurive të paluajtshme, për të zgjeruar biznesin si në financimin e këtyre investimeve, ashtu edhe në blerjen e tyre nga familjet shqiptare.

Inflacioni i lartë dhe rritja e shpejtë e normave të interesit po e bëjnë gjithnjë e më të mundshëm një frenim në ritmet e shpejta të rritjes së sektorit të ndërtimit. Ekspertët mendojnë se rritja e çmimeve do të ngadalësohet, por, këtë vit, çmimet ndodhen përballë një trysnie rritëse nga krahu i ofertës, për shkak të shtrenjtimit të ndjeshëm të materialeve të ndërtimit dhe kostos së ndërtimit në përgjithësi. Nga ana tjetër, inflacioni dhe rritja e interesave pritet të godasë fuqinë blerëse dhe kërkesën edhe në tregun e pronave, çka mund ta bëjë të vështirë për ta transferuar tek blerësit këtë rritje të kostove. Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë të këtij viti indeksi i kostove në ndërtim shënoi një rritje rekord me 6.2%, e nxitur sidomos nga shpenzimet materiale dhe ato për energji. Por, deri tani, një skenar i tillë nuk e ka ndikuar shumë ecurinë e kreditimit në ndërtim.

Ndërtimi këtë vit është sektori i dytë më i kredituar i ekonomisë, pas tregtisë. Por, ndërkohë që kredia e re për tregtinë paraqitet pothuajse në të njëjtat vlera me vitin e kaluar, kredia për ndërtimin është në rritje të ndjeshme. Deri tani gjatë këtij viti, kredia për ndërtimin përbënin 21.6% të kredisë së re dhënë për bizneset, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë zinte 19.2%./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco