Kursi i euros nën ‘tutelën’ e BSH, por thyen përsëri lehtë minimumin historik

Kursi i euros nën ‘tutelën’ e BSH, por thyen përsëri lehtë minimumin historik

15:39, 10/06/2024
A+ Aa A-

Kursi i këmbimit të euros me lekun ka pësuar një tjetër rënie të lehtë ditën e sotme dhe ka prekur një minimum të ri historik.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye sot me 100.29 lekë, në rënie me 0.09 lekë krahasuar me fundin e javës së kaluar. Niveli i sotëm përfaqëson vlerën më të ulët të shënuar ndonjëherë në kursin e këmbimit euro-lek, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 100.32 lekë, që ishte regjistruar më datë 22 maj.

Rënia e euros vjen në një ditë kur monedha europiane pësoi goditje të fortë edhe në tregjet ndërkombëtare, për shkak të rezultateve të zgjedhjeve për Parlamentin Europian dhe vendimit të Presidentit francez për ta çuar vendin në zgjedhje të reja.

Megjithatë, sipas agjentëve të tregut valutor, zhvillimet në tregjet e jashtme në përgjithësi nuk kanë ndonjë ndikim të rëndësishëm në kursin e këmbimi euro-lek, që përcaktohet nga raportet e kërkesës dhe ofertës në tregun e brendshëm.

Ndikimi i rënies së euros ndaj valutave të tjera reflektohet vetëm në kursin e tyre me lekun. Për shkak të zhvlerësimit të euros në tregjet ndërkombëtare, edhe leku humbi terren ndaj valutave të tjera. Dollari Amerikan, Paundi Britanik dhe Franga Zvicerane fituan ndjeshëm terren krahasuar me fundin e javës së kaluar.

Kursi i euros me lekun po ndikohet kryesisht nga flukset valutore në rritje, të lidhura me fillimin e sezonit turistik.

Qysh prej muajit maj, në fakt, kursi i këmbimit të euros është vendosur në një lloj kontrolli nga Banka e Shqipërisë, që ka blerë rregullisht sasi të konsiderueshme valute në treg, për të mos lejuar një rënie të kursit mesatar të euros poshtë nivelit të 100 lekëve.

Edhe pa patur si qëllim një ndërhyrje në kursin e këmbimit, Banka e Shqipërisë tërheq çdo vit shuma të konsiderueshme nga tregu. Kalendari i ankandeve të valutës për nevojat e rezervës valutore parashikon që shuma e synuar për tu blerë për vitin 2024 do të jetë në intervalin mes 250 milionë eurove dhe 330 milionë eurove.

Këto blerje nuk duket të jenë të mjaftueshme për të frenuar rënien e euros dhe sipas burimeve nga tregu Banka e Shqipërisë po ndërmerr blerje direkte për të shmangur forcimin e mëtejshëm të lekut. Me rënien e inflacionit poshtë nivelit të 3% gjatë muajve të parë të vitit, këto ndërhyrje mund të justifikohen kryesisht në funksion të objektivit të stabilitetit të çmimeve.

Megjithatë, gjatë sezonit të verës presionet rënëse mbi kursin e këmbimit të euros pritet të forcohen më shumë, sidomos për shkak të prurjeve të lidhura me turizmin./ Monitor

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco