Tuchel izolon Anglinë, zhduken ‘WAGs’-at dhe tabloidët mbeten pa historitë e tyre të preferuara

Tuchel izolon Anglinë, zhduken ‘WAGs’-at dhe tabloidët mbeten pa historitë e tyre të preferuara

22:37, 25/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Anglia e drejtuar nga Thomas Tuchel po ndjek një rrugë krejt ndryshe në Kupën e Botës 2026. Përveç rezultateve në fushë dhe synimit për të fituar trofeun, vëmendjen e ka tërhequr edhe atmosfera jashtë saj. Kanë marrë fund ditët kur bashkëshortet dhe të dashurat e futbollistëve, të njohura si “WAGs”, ishin po aq të famshme sa vetë lojtarët, duke mbushur faqet e para të tabloideve britanike.

Ndryshe nga Botërorët e kaluar, Tuchel ka vendosur rregulla të qarta: asnjë bashkëshorte apo e dashur nuk lejohet të qëndrojë me ekipin në grumbullim. Futbollistët mund të takojnë familjet vetëm një ditë pas çdo ndeshjeje. Për më tepër, trajneri gjerman ka vendosur edhe orë kthimi të detyrueshme, duke i dhënë përparësi disiplinës dhe përqendrimit maksimal.

Edhe zgjedhja e bazës së Anglisë ka ndikuar në këtë qetësi. Kombëtarja është vendosur në Kansas City, larg jetës së zhurmshme të qyteteve si Nju Jorku, Los Anxhelosi apo Majami. Mesfushori Declan Rice e pranoi se kjo ka ndihmuar ekipin të mbetet plotësisht i fokusuar.

“Qetësia është thelbësore. Nuk ka shumë gjëra për të bërë këtu dhe kjo na ka ndihmuar të përqendrohemi vetëm te futbolli”, u shpreh Rice.

Edhe jetët private të yjeve anglezë janë larg skandaleve. Kapiteni Harry Kane është i martuar prej vitit 2019 me Katie Goodland, me të cilën ka krijuar familje dhe mban një profil shumë të ulët publik. Jude Bellingham është parë së fundmi me modelen dhe influencuesen Ashlyn Castro, ndërsa partnerja e Declan Rice, Lauren Fryer, është bërë lajm vetëm për shkak të kritikave të padrejta që ka marrë në rrjetet sociale për pamjen e saj.

Ky realitet bie në kontrast të plotë me Botërorin e vitit 2006. Atëherë Anglia, e drejtuar nga Sven-Göran Eriksson, ishte vendosur në Baden-Baden të Gjermanisë dhe grumbullimi u shndërrua në një spektakël jashtë fushe. Festat e pafundme, daljet në lokale, pazaret e bashkëshorteve të lojtarëve, xhelozitë dhe përplasjet ishin pjesë e përditshme e lajmeve. Madje, sipas rrëfimeve të ish-futbollistëve, familjarët kërkuan që të hiqeshin ekranet mbrojtëse të vendosura rreth hotelit vetëm për t'u fotografuar më lehtë nga paparacët.

Ajo periudhë u bë aq e famshme, sa BBC realizoi dokumentarin “England 2006: The Lost Generation”, duke treguar se si vëmendja mediatike dhe jeta jashtë fushe ndikuan negativisht te kombëtarja.

Epoka e Gareth Southgate kishte nisur ta ndryshonte këtë kulturë, por me ardhjen e Thomas Tuchel disiplinës i është dhënë përparësi absolute. Anglia e sotme mund të mos prodhojë më histori rozë për tabloidët, por shpreson që qetësia dhe përqendrimi t'i sjellin më në fund suksesin që i ka munguar prej dekadash.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco