Pavarësisht se mbërriti në Botërorin 2026 si fitues i “Topit të Artë” dhe pas dy sezonesh të jashtëzakonshme me Paris Saint-Germain, Ousmane Dembele vazhdon të përballet me një pyetje të vjetër te kombëtarja franceze: cili është roli i tij ideal në skuadër?
Fitorja 3-1 e Francës ndaj Senegalit në ndeshjen e parë të turneut nuk arriti t’i japë një përgjigje kësaj dileme.
Ndërsa “Les Bleus” siguruan tri pikët pa shumë vështirësi, Dembele edhe një herë nuk arriti të shfaqte ndikimin që e karakterizoi gjatë sezonit me PSG-në.
Sulmuesi 29-vjeçar e pati të vështirë të përfshihej në lojë, ndërsa vëmendja në repartin ofensiv u përqendrua kryesisht te Kylian Mbappe dhe Michael Olise.
Ky i fundit po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi në skemat e Didier Deschamps, duke krijuar një partneritet premtues me kapitenin francez.
Ndryshe nga liria që kishte te PSG, ku lëvizte në qendër dhe ishte organizatori kryesor i sulmeve, Dembele u pozicionua kryesisht në krahun e djathtë kundër Senegalit.
Ky rol duket se nuk i përshtatet plotësisht cilësive të tij dhe e kufizon ndikimin në lojën sulmuese të ekipit.
Legjenda e futbollit francez dhe kampioni i botës i vitit 1998, Bixente Lizarazu, e ka ngritur publikisht këtë shqetësim.
“Pyetja kryesore është çfarë duhet bërë me Ousmane Dembele. Si duhet pozicionuar ai për të nxjerrë më të mirën e tij dhe për të parë Dembele që kemi parë te PSG?
Deri tani nuk e kemi parë të luajë me lirinë që e karakterizon”, deklaroi ai për “L’Equipe”.
Megjithëse trajneri Didier Deschamps vazhdon t’i besojë cilësive të sulmuesit, sfida tashmë nuk është nëse Dembele meriton një vend në formacion, por si të shfrytëzohet maksimalisht potenciali i tij.
Nëse tekniku francez nuk arrin të gjejë formulën e duhur, fituesi i “Topit të Artë” mund të përballet me një skenar të papritur në këtë Botëror: uljen në stol, pavarësisht formës fantastike që tregoi në nivel klubesh.
© SYRI.net