Goditja më vdekjeprurëse ndaj një mjeti tregtar në Detin e Zi/ Shkon në 10 numri i të vdekurve në Odesa

Goditja më vdekjeprurëse ndaj një mjeti tregtar në Detin e Zi/ Shkon në 10 numri i të vdekurve në Odesa

16:53, 20/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Numri i viktimave nga sulmi rus ndaj një anijeje mallrash në brigjet e Odesës ka shkuar në 10 persona. Anija me flamur të Guinesë-Bisau u godit të dielën nga raketa ruse lundruese, duke shkaktuar një zjarr të madh në bord.

Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, sulmi goditi anijen “Golden Leo”, ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit vijoi gjatë gjithë natës. Autoriteti Portual i Ukrainës njoftoi se deri të hënën në mëngjes kishin humbur jetën nëntë anëtarë të ekuipazhit, si dhe një pilot i portit.

Rajoni i Odesës është kthyer në një nga objektivat kryesore të sulmeve ruse gjatë javëve të fundit. Guvernatori i rajonit, Oleh Kiper, deklaroi për televizionin ukrainas se vetëm gjatë muajit korrik, 28 persona janë vrarë nga sulmet ajrore ruse në këtë zonë.

Sulmi ndaj anijes “Golden Leo” konsiderohet më i rëndi ndaj një anijeje tregtare në Detin e Zi që nga nisja e pushtimit rus në shkallë të plotë të Ukrainës.

Anijet tregtare me flamuj të huaj, të cilat transportojnë ekuipazhe ndërkombëtare, janë pjesë e korridorit detar të eksportit të Ukrainës. Ky korridor lejon transportin e mallrave përgjatë brigjeve të Rumanisë dhe Bullgarisë drejt Turqisë dhe tregjeve ndërkombëtare.

Eksportet përmes detit përbëjnë më shumë se dy të tretat e eksporteve bujqësore të Ukrainës, me një vlerë prej rreth 9 miliardë dollarësh, duke qenë një burim i rëndësishëm të ardhurash për ekonominë ukrainase.

Për më shumë se katër vite, luftimet në Detin e Zi kanë mbetur në një situatë të tensionuar. Ndërsa Rusia ka ruajtur kontrollin mbi një pjesë të madhe të vijës bregdetare, Ukraina ka përdorur dronë detarë për të goditur kapacitetet ruse dhe për ta detyruar Moskën të mbajë flotën e saj më të mbrojtur në bazat detare në pjesën lindore të Detit të Zi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco