Flakët shkatërrojnë zonën pranë Palermos, autoritetet shpallin emergjencë

Flakët shkatërrojnë zonën pranë Palermos, autoritetet shpallin emergjencë

22:21, 20/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Qindra banorë kanë mbetur pa furnizim me ujë në zonën e Castronovos, në provincën e Palermos, pasi një zjarr i fuqishëm përfshiu zonën pranë impiantit të trajtimit të ujit Fanaco në Siçili.

Flakët kanë shkaktuar dëme të mëdha, duke detyruar edhe evakuimin e disa banesave, ndërsa zjarri vijon të përhapet në zonat malore mbi qendrat e banuara.

“Kemi një emergjencë të plotë. Kemi nevojë për avionë Canadair, forca dhe mjete, pasi situata është serioze”, deklaroi kryebashkiaku i Castronovos, Vitale Gattuso.

Në zonë kanë ndërhyrë edhe ekipet e urgjencës, pasi disa persona kanë pësuar probleme shëndetësore për shkak të tymit.

Për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga zjarri, kompania Siciliacque ndërpreu furnizimin me ujë në disa bashki, mes tyre Aragona, Acquaviva Platani, Bompensiere, Canicattì, Campofranco, Casteltermini, Delia, Milena, Montedoro, Mussomeli, San Giovanni Gemini, Serradifalco, Sommatino, Sutera, si dhe disa zona të tjera të provincës së Palermos.

Ndërprerja e furnizimit iu komunikua edhe prefekturave dhe autoriteteve të mbrojtjes civile.

Ndërkohë, zyrtarët njoftuan se zjarri brenda impiantit të ujit është shuar. Teknikët e Siciliacque kanë nisur kontrollet për të vlerësuar rikthimin e funksionimit të impiantit dhe për të verifikuar cilësinë e ujit në rezervuarët e trajtimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco