Fshatrat në Rusi goditen rëndë nga kriza e karburanteve

Fshatrat në Rusi goditen rëndë nga kriza e karburanteve

09:59, 21/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një fshatar druan e nuk do të mund të shkurtojë dru në kohë për dimër sepse i ka mbetur sharra pa karburant. Një tjetër tha se nuk mund të kosit jonxhën për ushqim për kafshët gjatë dimrit për shkak se nuk kishte karburant për traktorin e tij.

Dhe, peshkatarët e fshatit nuk mund të peshkojnë në lumenj për shkak të një ndalese për të mbushur bidonë me karburante që janë të nevojshme për varkat e tyre me motorë.

Pothuajse dy muaj që kur Ukraina ka nisur fushatën e sulmeve me dronë me rreze të gjatë veprimi që ka nxjerrë jashtë funksioni një pjesë të konsiderueshme të kapaciteteve të rafinimit të benzinës në Rusi, kriza në rritje me karburante ka mbërthyer qytete të mëdha në mbarë vendin.

Por, ndoshta ata që janë goditur më së rëndi janë fshatrat e varfra në zonat e thella të vendit, ku banorët vendas shpesh mbijetojnë nga toka, udhëtojnë në distanca të largëta për punë dhe përpiqen të krijojnë rezerva të karburante për raste emergjente – si dhe ushqim dhe karburante për dimrin e gjatë.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, pothuajse çdo rafineri e madhe në Rusi është goditur nga dronë ukrainas. Shumë rafineri janë sulmuar disa herë. Në total, ekspertët vlerësojnë se 20 deri në 40 për qind e kapacitetit të përgjithshëm të rafinimit të shtetit është nxjerrë jashtë funksionit.

Pothuajse çdo rajon i Rusisë – edhe rajonet e largëta të Kamçatkas dhe bregu i Paqësorit – kanë ndierë efektet e fushatës ukrainase.

Disa rajone kanë vendosur kufizime për mbushjen e makinave me karburante, disa kanë tentuar që të pengojnë grumbullimin e rezervave ose përfitimin nga kriza duke ndaluar mbushjen e bidonëve portativë me karburante, ndërsa disa kanë vendosur një sistem kuponësh, të ngjashëm me atë që përdornin autoritetet sovjetike kur përballeshin me mungesa ushqimore.

“Çfarë duhet të bëjmë pa një gjenerator?”

Rezultati i këtyre përpjekjeve ka qenë se në shumë vende janë krijuar radhë të gjata pritjesh për shoferët, pa përmendur edhe acarimin dhe zhgënjimin e madh.

Novogorodi, rajon verior që gjendet në jug të qytetit të dytë më të madh të Rusisë, Shën Peterburgut, nuk bën përjashtim.

Në VK, që është rrjeti më i madh i mediave sociale në Rusi, banorët lokalë kanë publikuar ankesa në faqen që menaxhohet nga guvernatori rajonal, duke thënë se ndalesa për të mbajtur bidonë me karburante – enë metalike portative për benzinë – po dëmtojnë fshatrat e largëta që ndodhen shumë larg pikave të furnizimit me karburante dhe qendrave komunale.

“Ne jetojmë në një fshat ku nuk ka dyqan ushqimor, nuk ka barnatore dhe nuk ka transport drejt shërbimeve bazike. Gjatë gjithë jetës sonë, një herë në javë kemi udhëtuar 30 kilometra deri te pika më e afërt e furnizimit me karburant për të mbushur makinën dhe bidonët tanë, madje ndonjëherë edhe një ose dy bidonë shtesë [për gjeneratorin], në rast të ndërprerjes së energjisë elektrike”, shkroi një grua me emrin Irina Tryaskina.

“Çfarë duhet të bëjmë pa një gjenerator? Të gatuajmë mbi zjarr dhe ta ruajmë ushqimin në qilar?”.

“Si duhet ta furnizoj me karburant traktorin tim kur ndodhem në arë?”, shkroi një tjetër banor me emrin Aleksandr Vasiljev. “A duhet ta ngas disa kilometra deri te pika e furnizimit? Dhe nëse nuk mund ta furnizoj traktorin me karburant, atëherë unë – ose më saktë lopët e mia – nuk do të kenë asnjë ushqim për dimër”.

Një grua tjetër, me emrin Alena, emri i së cilës u ndryshua nga Radio Evropa e Lirë për ta mbrojtur nga ndjekja e mundshme penale, tha se nevojiten rreth 10 litra benzinë për të udhëtuar nga fshati i saj deri në qendrën administrative të rajonit të Ljubitinos dhe për t’u kthyer mbrapsht.

“Është qesharake”, i tha ajo Radios Evropa e Lirë. “Dhe çfarë të mbetet? Po nëse herën tjetër që shkon nuk ka karburant? Ta lësh makinën aty?”.

Përveç makinës, ajo përdor edhe pajisje të vogla që punojnë me benzinë për mirëmbajtjen e shtëpisë dhe tokës: kultivatorin, sharrën me motor, gjeneratorin dhe traktorin. “Energjia elektrike ndërpritet vazhdimisht, kështu që pa frigorifer gjatë verës është katastrofë”, tha ajo.

Ajo tregoi se një herë ishte ankuar në zyrën komunale, por zyrtari i kishte thënë se ishte faji i saj që ishte shpërngulur në fshat dhe se duhej të kishte qëndruar në qytet.

“S’jemi Moska apo Shën Petersburgu”

Aleksandri, i cili jeton në fshatin Komarovo që është rreth 30 minuta me makinë nga Ljubitino, tha se banorët e zonës ndjekin një rregull të pashkruar: mbajnë rezervë të paktën katër bidonë me benzinë.

“Ne nuk jemi Moska apo Shën Petersburgu”, tha ai. “Në këtë periudhë po mbledhim dru për zjarr, po pastrojmë rrugët nga mbeturinat dhe po kositim barin. Dhe, të gjithë mbështeten te gjeneratori kur ndërpritet energjia elektrike”.

Në Dubrovka, në jugperëndim të Komarovos, buzë lumit Mësta, një banor me emrin Matvei tha se mungesa e karburantit po e vështirëson kositjen e 15 hektarëve tokë që ai ka.

Ai tha se sjell benzinë nga Shën Petersburgu, ku punon, për të furnizuar traktorin me karburant, si dhe u sjell benzinë edhe banorëve të tjerë të fshatit kur kanë nevojë.

Irina, një banore e fshatit Novinka, që gjendet rreth një orë me makinë në veri të Ljubitinos, tha se stuhitë shkaktojnë rregullisht ndërprerje të rrymës, andaj banorët mbështeten te gjeneratorët që punojnë me benzinë.

“Nuk kemi linja të duhura telefonike. Nuk kemi rrymë. Rrugët janë në gjendje të mjerueshme. Shërbimet shëndetësore janë katastrofë. Është e pamundur të shkosh deri te dyqanet”, i tha ajo Radios Evropa e Lirë. “Dhe, tani po na heqin edhe mundësinë për të udhëtuar me makinë deri në qendrën e rajonit. As nuk po flas për motobarkat. A duhet vërtet t’i çojmë varkat dhe motobarkat në pikën e karburantit? Peshkatarët gjithmonë e kanë sjellë benzinën në bidonë, por tani askush nuk po mendon për ta”.

Pavarësisht se dihet gjerësish që dronët ukrainas kanë goditur rafineritë e naftës dhe infrastrukturë tjetër, pak banorë të fshatrave i lidhin mungesat e karburantit që po ndikojnë në jetën e tyre të përditshme me fushatën e sulmeve të Ukrainës apo me luftën e Rusisë, e cila ka hyrë në vitin e pestë pa shenja se do të përfundojë.

Anna, një banore e fshatit Ivantejevski, e cila kërkoi që mbiemri i saj të mos publikohej, i lidhi mungesat e karburantit me luftën në Ukrainë.

“Në fakt, ne jemi në luftë”, tha ajo, duke shtuar se nipi i saj ndodhet në vijën e frontit, ashtu si edhe bashkëshortët e dy shoqeve të saj.

Ajo tha po ashtu se bashkëshorti i një shoqeje të saj punon në një rafineri nafte në rajonin e Leningradit. Ajo, gjithashtu ka të afërm në rajonin e Belgorodit, afër kufirit me Ukrainën, një zonë që është goditur vazhdimisht nga sulmet ukrainase dhe nga e cila mijëra banorë janë evakuuar.

“Ata thonë se është shumë e vështirë të mbrohen objekte të tilla. Të gjithë të afërmit e mi janë në rajonin e Belgorodit dhe e kuptoj shumë mirë se krahasuar me ta rajoni ynë është parajsë”, tha ajo./ REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco