Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Nowl Barrot, tha të hënën se dy zyrtarë të ambasadës franceze kishin qenë subjekt i një ‘akti jashtëzakonisht të rëndë frikësimi’ nga shërbimet iraniane të sigurisë në Iran një ditë më parë, pasi ishin mbajtur dhe marrë në pyetje për orë të tëra. Njëri prej tyre iu nënshtrua gjithashtu abuzimit fizik, tha ai.
Në një deklaratë, Ministri i Jashtëm, Jean-Noël Barrot tha se dy diplomatët u shënjestruan nga zyrtarët iranianë vonë të dielën ‘në shkelje flagrante të imunitetit diplomatik’.
Të dy u ‘ndaluan për disa orë pa arsye, u morën në pyetje dhe njëri prej tyre u keqtrajtua fizikisht’ para se të ishin në gjendje të ktheheshin në ambasadë, tha ai.
Ata tani ishin të sigurt dhe pritet të ktheheshin në Francë brenda disa orësh, shtoi Barrot.
‘Sulmi është edhe më tronditës duke pasur parasysh se këta dy zyrtarë mbikëqyrin programet tona që mbështesin shoqërinë civile, veçanërisht artistët dhe shkencëtarët iranianë’, theksoi ndër tjera Barrot.
Diplomati më i lartë i Francës tha se e kishte paralajmëruar homologun e tij iranian Abbas Araghchi se incidenti ‘serioz dhe i papranueshëm’ ‘nuk mund të kalojë pa pasoja’.
Javën e kaluar, Barrot përsëriti se sanksionet evropiane ndaj Iranit nuk do të hiqen nëse Teherani nuk braktis programin e tij bërthamor dhe atë që Parisi i quan aktivitetet e tij destabilizuese në rajon.
© SYRI.net