Ndryshime në administratën Trump, largohet kreu i institutit federal për Inteligjencën Artificiale

Ndryshime në administratën Trump, largohet kreu i institutit federal për Inteligjencën Artificiale

08:24, 21/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kreu i Qendrës amerikane për Standardet dhe Inovacionin në Inteligjencën Artificiale, Chris Fall, ka dhënë dorëheqjen vetëm tre muaj pasi u emërua në krye të institutit federal, që merret me testimin e inteligjencës artificiale pranë Departamentit amerikan të Tregtisë, njoftoi  një zëdhënës i departamentit.

Largimi i tij shënon ndryshimin më të fundit, në planet e administratës Trump për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e zhvillimit të inteligjencës artificiale. Përkohësisht, detyrën e Fall do ta marrë Arvind Raman, i cili drejton zyrën e Departamentit të Tregtisë, që mbikëqyr institutin e testimit të inteligjencës artificiale.

Raman ka qenë më herët, dekan i inxhinierisë në Universitetin Purdue. Departamenti i Tregtisë nuk dha një arsye për largimin e Fall.

Largimi i Fall është ndryshimi i fundit në qasjen e administratës Trump ndaj inteligjencës artificiale. Pas rikthimit në detyrë në vitin 2025, Trump deklaroi se qeveria federale duhet të ndërhynte sa më pak, në sektorin e teknologjisë.

Megjithatë, më vonë ai ka marrë një rol më aktiv në monitorimin e kësaj fushe, ndërsa deklaratat dhe politikat e tij për inteligjencën artificiale kanë ndryshuar shpesh.

Instituti amerikan për testimin e inteligjencës artificiale, ka për detyrë të bashkëpunojë me kompanitë kryesore të teknologjisë, si Anthropic, Google DeepMind dhe OpenAI, për të kontrolluar modelet e reja të inteligjencës artificiale, përpara se ato të dalin në përdorim publik dhe për të zbuluar dobësitë e mundshme të tyre.

Instituti përbëhet nga shkencëtarë dhe inxhinierë, që analizojnë rreziqet konkrete që mund të sjellin sistemet e avancuara të inteligjencës artificiale.

Një nga shqetësimet kryesore është parandalimi, që kundërshtarët e SHBA-së të përdorin IA-në për ndërtimin e armëve kimike apo biologjike, ose për manipulimin e të dhënave – me të cilat trajnohen sistemet amerikane të inteligjencës artificiale.

Instituti bashkëpunon gjithashtu me Microsoft dhe kompaninë e Elon Musk, xAI, për testimin e modeleve të tyre të inteligjencës artificiale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco