Hero apo vrasës? Qëlloi për vdekje dy personat që tentuan t’i grabisnin biznesin, argjendari italian kthehet në simbol për të djathtën

Hero apo vrasës? Qëlloi për vdekje dy personat që tentuan t’i grabisnin biznesin, argjendari italian kthehet në simbol për të djathtën

15:43, 16/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Mario Roggero, argjendari italian që u kthye në një figurë të debatueshme publike pas vrasjes së dy grabitësve në dyqanin e tij, është dërguar në burg për të vuajtur një dënim prej 14 vitesh e 9 muajsh për vrasje dhe tentativë vrasjeje.

Ngjarja ndodhi në vitin 2021 në qytetin Grinzane Cavour, në rajonin Piemonte të Italisë, kur tre grabitës hynë në argjendarinë e Roggeros dhe morën sende me vlerë.

Pamjet e kamerave të sigurisë, të transmetuara shpesh në mediat italiane, tregojnë momentin kur grabitësit largohen nga dyqani dhe argjendari i ndjek jashtë me një pistoletë, të cilën e mbante nën banak.

Sipas pamjeve, Roggero qëlloi katër herë drejt automjetit me të cilin grabitësit po largoheshin. Dy prej tyre humbën jetën, ndërsa një tjetër u plagos në këmbë dhe më pas u arrestua nga autoritetet, shkruan The Times.

Gjykata Supreme italiane vendosi të mos pranonte ankimimin e tij, duke lënë në fuqi dënimin, pasi gjyqtarët vlerësuan se në momentin kur hapi zjarr, grabitësit nuk përbënin më një rrezik të drejtpërdrejtë, pasi po largoheshin nga vendi i ngjarjes.

Në procesin gjyqësor, prokuroria argumentoi se Roggero nuk mund të merrte rolin e policit dhe gjykatësit. “Nuk mund të jesh polic, gjykatës dhe ekzekutues. Asnjë ligj, as ligjor dhe as moral, nuk e lejon këtë”, mësohet të jetë shprehur prokurori.

Megjithatë, rasti i tij ka ndarë opinionin publik italian. Për një pjesë të madhe të së djathtës politike, Roggero është kthyer në simbol të vetëmbrojtjes dhe luftës ndaj kriminalitetit. Ai ka marrë mbështetje nga figura të njohura politike, përfshirë zëvendëskryeministrin Matteo Salvini, i cili i ka kërkuar presidentit italian faljen e dënimit.

Salvini e cilësoi Roggeron “një njeri të ndershëm” dhe tha se një person 72-vjeçar nuk duhet të ndajë qelinë me kriminelë të tjerë.

Mbështetje për të ka shprehur edhe politikani i së djathtës së fortë Roberto Vannacci, i cili gjatë një tubimi mbajti një bluzë me mbishkrimin “Ne jemi të gjithë Roggero”.

Por vendimi i gjykatave u bazua te pamjet e kamerave, të cilat treguan edhe momentet para të shtënave. Grabitësit kishin lidhur me lidhëse plastike bashkëshorten dhe vajzën e Roggeros, të cilat punonin në argjendari, dhe e kishin kërcënuar me një armë false për t’u dorëzuar bizhuteritë.

Pas largimit të tyre, Roggero i ndoqi dhe qëlloi ndaj automjetit. Njëri prej grabitësve u rrëzua dhe humbi jetën, ndërsa pamjet treguan se argjendari e goditi edhe pasi ai ishte plagosur rëndë.

Roggero ka mbrojtur gjatë gjithë procesit veprimet e tij, duke thënë se synimi i tij ishte mbrojtja e familjes. “Doja të shpëtoja gruan time dhe të eliminoja rrezikun që ata të ktheheshin për të na vrarë, pasi na kishin parë në fytyrë”, është shprehur ai në gjykatë.

Para se të dorëzohej në burg, argjendari publikoi një mesazh për mbështetësit e tij, duke falënderuar ata për solidaritetin. Ndërkohë, familjet e viktimave kërkojnë zbatimin e vendimit të drejtësisë dhe kompensimin financiar, pasi Roggero është detyruar të paguajë rreth 780 mijë euro dëmshpërblim.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco