Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

'Dita e Bastijës' në Francë: Parada me Ukrainën në fokus

'Dita e Bastijës' në Francë: Parada me Ukrainën në fokus

20:20, 14/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një paradë madhështore ushtarake u mbajt në Paris në prani të presidentit francez Emmanuel Macron dhe të ftuarve të tjerë të nivelit të lartë.

Në këtë aktivitet morën pjesë trupa dhe avionë luftarakë nga vendet evropiane të ashtuquajturit "Koalicioni i të Vullnetmëve”, në mbështetje të Ukrainës, e cila vazhdon të përballet me pushtimin rus.

Avionët luftarakë francezë fluturuan mbi bulevardin Champs-Élysées, duke lënë pas tyre gjurmë në ngjyrat kombëtare franceze: blu, të bardhë dhe të kuqe.

Kjo ishte Dita e fundit e Bastijës për Macron në cilësinë e presidentit të Francës. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy mori pjesë në festime si mysafir i veçantë.

Lideri ukrainas e falënderoi Macronin për praninë e Ukrainës në festimet e këtij viti, duke thënë se kjo është:

"një shenjë respekti dhe vlerësimi për forcën e Ukrainës, popullit tonë dhe forcave tona të armatosura.”

Liderët evropianë të pranishëm në Paris

Në ceremoni morën pjesë edhe kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri britanik Keir Starmer, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte,Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kryeministri i Luksemburgut Luc Frieden.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili kishte marrë pjesë personalisht në një festim të mëparshëm të Ditës së Bastijës së bashku me Macronin, i dërgoi urime liderit francez përmes rrjeteve sociale.

Kjo ndodh ndërkohë që Shtetet e Bashkuara, të cilat gjatë luftës për pavarësi morën ndihmë nga Franca kundër britanikëve, po festojnë 250-vjetorin e tyre.

Trump deklaroi: "Ndërsa shikojmë drejt 250 viteve të ardhshme, Shtetet e Bashkuara presin me padurim thellimin e marrëdhënieve me Francën, të udhëhequra nga angazhimi ynë i përbashkët për lirinë, paqen dhe prosperitetin.”

Macron: Gati të luftojmë për të mbrojtur lirinë dhe shtetin e së drejtës

Gjatë deklaratave me rastin e festimeve, presidenti francez Emmanuel Macron dërgoi një mesazh të qartë drejt Rusisë.

Në paradën madhështore morën pjesë rreth 6.700 ushtarë, 98 avionë, 31 helikopterë dhe 315 automjete ushtarake.

Ky ishte një numër rekord personeli ushtarak që marshoi në kuadër të festimeve të Ditës së Bastijës.

Macron tha: "Po, ne e çmojmë lirinë dhe shtetin e së drejtës. Dhe po, ne jemi të gatshëm të luftojmë për t'i mbrojtur ato. Gjithmonë, dhe edhe me çmimin e gjakut nëse është e nevojshme.”

Festimet mes temperaturave të larta dhe zjarreve

Sivjet festa kombëtare zhvillohet në një kohë kur Franca po përballet me disa valë vdekjeprurëse të të nxehtit.

Në Paris, temperaturat pritet të arrijnë deri në 34°C.

Gjithashtu, në jug të Parisit, pranë Fontainebleau, si dhe në zona të tjera të vendit, janë raportuar zjarre pyjore.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe bashkëshortja e tij Olena Zelenska u pritën ngrohtësisht nga drejtuesit francezë përpara fillimit të paradës.

Përvjetori i 10-të i sulmit terrorist në Nicë

Festimet e këtij viti zhvillohen saktësisht 10 vjet pas sulmit terrorist në Nicë, në jug të Francës. Në vitin 2016, një kamion u vërshoi mes turmës që po festonte Ditën e Bastijës në shëtitoren bregdetare të Nicës, duke vrarë 86 persona.

Sulmi u krye nga një shtetas tunizian që jetonte në Francë dhe më vonë u mor përsipër nga grupi terrorist i ashtuquajtur "Shteti Islamik” (ISIS).

Çfarë është Dita e Bastijës?

Dita e Bastijës, e njohur në frëngjisht si La Fête Nationale Française, festohet çdo vit më 14 korrik, për të përkujtuar sulmin ndaj Bastijës në vitin 1789.

Bastija ishte një fortesë dhe burg mesjetar. Marrja e saj nga revolucionarët përbënte një moment kyç të Revolucionit Francez dhe simbolizon fillimin e rrëzimit të monarkisë absolute në Francë./ DW/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco