VIDEO/ Shpërthime në aeroportin e Sanaas, Huthit akuzojnë Arabinë Saudite dhe paralajmërojnë hakmarrje

VIDEO/ Shpërthime në aeroportin e Sanaas, Huthit akuzojnë Arabinë Saudite dhe paralajmërojnë hakmarrje

14:30, 13/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një valë e re tensionesh ka përfshirë Jemenin, pas një sulmi ajror ndaj pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Sanaas, i cili ndodhet nën kontrollin e rebelëve Huthi. Sulmi dyshohet se kishte si objektiv pengimin e uljes së një avioni iranian në kryeqytet.

Banorët e Sanaas raportuan shpërthime të shumta pranë aeroportit, ndërsa avionë luftarakë u panë duke fluturuar mbi zonë. Deri tani, Arabia Saudite ka mohuar çdo përfshirje në sulm.

Huthitë kanë akuzuar Riadin për goditjen ajrore dhe kanë paralajmëruar kundërpërgjigje, duke e cilësuar sulmin si një veprim të drejtpërdrejtë ndaj tyre.

Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Jemenit ka marrë përgjegjësinë për sulmin, duke argumentuar se synimi ishte mbrojtja e sovranitetit të vendit dhe ndalimi i fluturimeve iraniane që, sipas saj, mund të përdoren për mbështetje ushtarake ndaj Huthive.

Autoritetet jemenase kanë paralajmëruar se do të reagojnë ndaj çdo shkeljeje të hapësirës ajrore nga Irani dhe grupi Huthi, duke përmendur rritjen e tensioneve në rajon.

Ndërkohë, ministri i Informacionit i Jemenit ka akuzuar Huthitë se kanë mbajtur të bllokuar në aeroportin e Sanaas një avion të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, së bashku me ekuipazhin e tij.

Qeveria e Jemenit, e vendosur në Aden dhe e mbështetur nga Arabia Saudite dhe vendet e Gjirit, ka akuzuar rebelët Huthi për përshkallëzim të situatës dhe shkelje të vazhdueshme të sovranitetit të vendit.

Huthitë, të mbështetur nga Irani, kanë kundërshtuar akuzat dhe kanë fajësuar drejtpërdrejt Arabinë Saudite për sulmin. Zëdhënësi i tyre ushtarak Yahya Sari ka paralajmëruar se veprimi nuk do të mbetet pa përgjigje.

Situata në Jemen vijon të mbetet e tensionuar, ndërsa përplasjet mes palëve të mbështetura nga fuqi rajonale rrezikojnë të hapin një tjetër front destabilizimi në Lindjen e Mesme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco