Probleme me sistemin e ri kufitar të BE-së, Komisioni Europian angazhon Frontex për aeroportet

Probleme me sistemin e ri kufitar të BE-së, Komisioni Europian angazhon Frontex për aeroportet

14:52, 07/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Komisioni Europian ka ndërhyrë për të adresuar problemet e shfaqura gjatë zbatimit të Sistemit të Hyrje-Daljeve (EES) në kufijtë e zonës Schengen, duke angazhuar edhe agjencinë europiane të kufijve Frontex.

Vendimi vjen pasi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pranoi se gjatë implementimit të sistemit të ri janë hasur disa vështirësi. EES synon të regjistrojë dhe të shkëmbejë të dhënat biometrike të qytetarëve nga vendet jashtë Bashkimit Europian që hyjnë dhe dalin nga hapësira Schengen.

Komisioneri europian për Çështjet e Brendshme, Magnus Brunner, u ka dërguar një letër operatorëve aeroportualë, ndërsa Komisioni Europian do të zhvillojë takime teknike me përfaqësues të sektorit për të analizuar problematikat dhe për të gjetur zgjidhje.

“Po shqyrtojmë me kujdes funksionimin praktik të sistemit të ri dhe po bëjmë gjithçka që është e mundur për të kufizuar ndikimin e tij te udhëtarët nga vendet jashtë BE-së”, deklaroi një zëdhënës i Komisionit.

Ai shtoi se Brunner ka rritur komunikimin me ministrat e vendeve anëtare për të përcaktuar llojin e mbështetjes së nevojshme për funksionimin sa më efikas të sistemit.

Ndërkohë, Frontex pritet të dërgojë staf shtesë në aeroportet më të frekuentuara dhe të kontribuojë në zbatimin e aplikacionit të ri të para-regjistrimit, i cili do të përdoret nga vendet anëtare.

Sistemi EES është pjesë e përpjekjeve të Bashkimit Europian për të modernizuar kontrollet kufitare dhe për të rritur sigurinë, por zbatimi i tij ka shkaktuar shqetësime për vonesa dhe probleme teknike në pikat e kalimit kufitar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco