Pas vapës përvëluese me temperatura që prekën rekorde historike, radha është e zjarreve masive nëpër pyje. Ditët e fundit janë shkrumbuar mbi 130 mijë hektarë pyje në këtë zonë të kontinentit. Situata më e vështirë është në jug të Francës, veçanërisht në rajonin e Odës, ku flakët po përhapen me shpejtësi përgjatë vijës bregdetare, duke sjellë evakuime në masë. Mbi 150 trupa zjarrfikës janë angazhuar për vënien nën kontroll të flakëve.
Në veri të Portugalisë, në Vouzela, një vatër gjigante ka lënë të lënduar 9 persona, mes të cilëve tre zjarrfikës që morën djegie të rënda duke mbrojtur banesat nga zjarri.
Alarmi mbetet në kuota maksimale edhe në Spanjë. Mbi 50 mijë hektarë janë bërë shkrumb e hi, me situatën më të rëndë të përqendruar në Galicia dhe Katalonjë, çka ka detyruar autoritetet të evakuojnë me urgjencë mijëra banorë dhe turistë. Për shkak të përmasave të katastrofës, Portugalia ka aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian.
Ekspertët ndërkohë paralajmërojnë se ngjarje të tilla ekstreme do të vijnë duke u shpeshtuar si pasojë direkte e ngrohjes globale.
© SYRI.net