Nga ishulli italian i Lampeduzës, Papa Leoni XIV i bëri thirrje Europës që t’i përgjigjet me një strategji afatgjatë sfidës së emigracionit, duke e cilësuar atë si një “thirrje epokale” për shoqëritë europiane
Teksa kremtoi meshën pranë portit ku zbarkojnë mijëra emigrantë, Ati i Shenjtë u shpreh se kontinenti i vjetër, për shkak të pozitës gjeografike dhe rolit të tij më të gjerë, duhet të kalojë nga menaxhimi i krizave drejt politikave të qëndrueshme që garantojnë shpëtimin, mbrojtjen, integrimin e azilkërkuesve por edhe ndihmën për zhvillimin e vendeve të tyre të origjinës, në mënyrë që askush të mos detyrohet të largohet nga shtëpia.
Me mijëra njerëz kanë humbur jetën në Mesdhe; këto viktima janë pasojë jo vetëm e vendimeve të gabuara, por edhe e mosveprimit. Varfëria, luftërat, trafikimi i qenieve njerëzore dhe indiferenca kanë krijuar një tragjedi që nuk mund të injorohet. Lutem që bota e sotme dhe e nesërme të bëhet më njerëzore për të gjithë.
Në nisje të vizitës, Papa u lut në varrezat e Lampeduzës pranë vendit ku prehen emigrante që humbën jetën në det, duke përfshirë edhe një foshnje gjashtëmuajshe nga Guinea. Ai vizitoi më tej “Portën e Europës”, monument simbolik i ishullit, ku eci i vetëm drejt bregut me vështrimin nga Mesdheu, në një moment me ngarkesë të fortë simbolike. Kreu i Kishës Katolike falënderoi banorët e Lampeduzës, vullnetarët, rojën bregdetare, mjekët dhe të gjithë ata që kanë ndihmuar emigrantët ndër vite, duke e quajtur solidaritetin e tyre një “mrekulli të dhembshurisë”.
© SYRI.net