Tërmetet shkatërruese/ Bota solidarizohet me Venezuelën, reagojnë Trump, Macron dhe liderë të tjerë

Tërmetet shkatërruese/ Bota solidarizohet me Venezuelën, reagojnë Trump, Macron dhe liderë të tjerë

13:02, 25/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Disa vende kanë shprehur solidaritet dhe kanë ofruar ndihmë për Venezuelën pas tërmeteve shkatërruese që goditën vendin, duke shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha materiale.

Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delsey Rodríguez, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në vend dhe njoftoi se pas tërmetit kryesor janë regjistruar më shumë se 20 lëkundje pasuese. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet në rrënoja për të mbijetuar, ndërsa autoritetet kanë raportuar të lënduar dhe dëme të konsiderueshme materiale, përfshirë shembje ndërtesash dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Aeroporti i Karakasit është mbyllur për shkak të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.

Udhëheqës të shumtë botërorë i kanë dërguar mesazhe mbështetjeje autoriteteve dhe popullit venezuelian.

Ndër të parët ishte presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili në një postim në mediat sociale, ai e cilësoi katastrofën si një ngjarje me “përmasa të mëdha”, duke theksuar se tërmetet kanë shkaktuar një “numër shkatërrues viktimash”.

Trump bëri të ditur se ka urdhëruar agjencitë amerikane të përgatiten për një përgjigje të shpejtë humanitare dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara janë “të gatshme, të përgatitura dhe të afta për të ndihmuar” popullin venezuelian në këtë situatë të vështirë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Guo Jiakun, deklaroi se Pekini është “gati të ofrojë çdo ndihmë që mundet për Venezuelën”.

Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, shprehu solidaritet me viktimat e katastrofës. Në një postim në rrjetet sociale, ai tha se mendimet e tij janë me viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë personat e angazhuar në operacionet e ndihmës.

“Shpreh solidaritetin tim më të thellë me viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë ata që janë mobilizuar në terren”, shkroi Macron.

Ngushëllime dhe mbështetje ka shprehur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili përmes një postimi në rrjetin social X u dërgoi mesazhe familjeve të viktimave, popullit venezuelian dhe presidentes së përkohshme, Delsey Rodríguez.

“Ndërsa përballemi me pasojat shkatërruese të fatkeqësive natyrore, na kujtohet forca dhe paparashikueshmëria e jashtëzakonshme e natyrës, por edhe forca e solidaritetit njerëzor në përpjekjet për të shpëtuar çdo jetë”, shkroi Vuçiç, duke u uruar të plagosurve shërim të shpejtë.

Ai shtoi se Serbia është e gatshme të ofrojë të gjithë ndihmën e nevojshme për popullin mik të Venezuelës.

Ndërkohë, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, dhe ministri i Jashtëm spanjoll shprehën gjithashtu solidaritet me Venezuelën dhe ofruan mbështetje për përballimin e pasojave të tërmeteve.

“E gjithë mbështetja ime dhe mbështetja e Spanjës për popullin venezuelian pas tërmeteve shkatërruese”, shkroi Sanchez në rrjetin social X.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco