Instituti Mbretëror Meteorologjik i Belgjikës (RMI) lëshoi sot alarm të kuq për provincat lindore Liege dhe Limburg për të premten pasi temperaturat pritet arrijnë deri në 40 gradë Celsius në disa pjesë të vendit, transmeton Anadolu.
Kreu i parashikimit të motit në RMI, David Dehenauw tha se disa modele të motit tregojnë se temperaturat në disa zona të Lieges dhe Limburgut mund të arrijnë 40 gradë Celsius. Një alarm i kuq lëshohet kur temperaturat arrijnë nivele të konsideruara të rrezikshme për shëndetin dhe sigurinë publike, duke kërkuar masa paraprake dhe vigjilencë të shtuar.
RMI lëshoi për herë të parë paralajmërim të tillë në mbarë vendin në korrik 2019 dhe përsëri në pjesën më të madhe të vendit gjatë verës së vitit 2020 në mes të pandemisë së COVID-19.
Autoritetet këshilluan banorët të pinë më shumë lëngje, të ruajnë marrjen e kripës, të pushojnë më shpesh, të qëndrojnë në ambiente të ftohta, të përdorin copa të lagura në rastet e dehidrimit dhe të shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë ndaj rrezeve të diellit.
Pavarësisht alarmit të kuq, Shërbimi Publik Federal i Belgjikës për Shëndetin Publik tha se aktualisht nuk ka plane për të rimbledhur Grupin e Menaxhimit të Rrezikut, i cili koordinon përgjigjet ndaj emergjencave kombëtare, raportoi transmetuesi VRT.
Agjencia theksoi se Grupi i Menaxhimit të Rrezikut kishte aktivizuar tashmë fazën e alarmit të planit kombëtar të ozonit dhe nxehtësisë në fillim të kësaj jave, duke e përshkruar situatën si "shumë të jashtëzakonshme".
Autoritetet shëndetësore lëshuan apel të përbashkët për vigjilencë të shtuar gjatë ngjarjeve publike, veçanërisht për grupet vulnerabël, përfshirë fëmijët e vegjël, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me kushte themelore shëndetësore.
"Vala e të nxehtit të premten dhe këtë fundjavë është e jashtëzakonshme", tha në një deklaratë Gerlant Van Berlaer, shefi mjekësor në Shërbimin Federal Publik për Shëndetin Publik.
Ai u bëri thirrje individëve vulnerabël që të vlerësojnë me kujdes nëse duhet të marrin pjesë në aktivitete në natyrë, duke paralajmëruar se "është më mirë të anashkaloni një aktivitet sesa të merrni rreziqe të panevojshme në këtë vapë".
Operacionet u pezulluan përkohësisht në spitalin "AZ Sint-Lucas" në Ghent dhe spitalin universitar Antwerp në Edegem pasi një ndërprerje preku sistemet e tyre elektronike të regjistrimit të pacientëve.
Serveri qendror, ku ruhen të gjitha të dhënat mjekësore, ndodhet në Paris dhe është mbinxehur.
© SYRI.net