Bill Gates pranoi gjatë një seance dëgjimore para Kongresit Amerikan se kishte pasur tre afera jashtëmartesore gjatë martesës së tij me Melinda Gates , dhe për herë të parë u zbuluan publikisht emrat e dy prej grave me të cilat ai kishte afera.
Themeluesi i Microsoft konfirmoi se kishte afera me sipërmarrësen mjekësore Alice Jacobs Nesselrodt dhe shkencëtaren bërthamore ruse Karima Nigmatulin .
Detajet u publikuan në një transkript të një seance dëgjimore para Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili u përqendrua në marrëdhënien e Gates me financierin e ndjerë dhe të dënuarin për krime seksuale, Jeffrey Epstein . Gates tha se i vinte keq për miqësinë e tij me Epstein dhe tha se do të donte që ata të mos ishin takuar kurrë.
Transkriptet thonë se Gates i rrëfeu ish-gruas së tij, Melindës, për aferën e tyre para vitit 2013 dhe se ajo, sipas tij, ishte “shumë e tronditur”. “Ishte shumë e vështirë për të, por nuk folëm për divorc në atë kohë”, tha Gates.
Një pjesë e seancës dëgjimore iu kushtua edhe emaileve nga dosja Epstein, të cilat detajojnë marrëdhëniet e Gates me gratë. Avokatët theksuan se Jacobs kishte kontakte me Epstein dhe se ajo më vonë u takua me Boris Nikolić , një ish-këshilltar i Fondacionit Gates.
Kur u pyet për shantazh të mundshëm nga Epstein, Gates tha: “Nuk u shantazhova”, por pranoi se disa email-e “të japin përshtypjen se Epstein po mendonte në atë mënyrë”. Komiteti Mbikëqyrës vazhdon hetimin e tij mbi mënyrën se si institucionet amerikane e trajtuan çështjen Epstein dhe dokumentacionin që është publikuar deri më tani.
© SYRI.net