Qeveria amerikane kërkon të ndalojë ankandin e sendeve të Titanikut

Qeveria amerikane kërkon të ndalojë ankandin e sendeve të Titanikut

17:36, 23/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Qeveria amerikane po përpiqet të bllokojë shitjen në ankand të më shumë se 100 objekteve të nxjerra nga rrënojat e anijes britanike Titanik, sipas dokumenteve gjyqësore të publikuara së fundmi.

Kompania RMS Titanic Inc., e cila zotëron të drejtat ekskluzive për eksplorimin dhe nxjerrjen e sendeve nga rrënojat e anijes së fundosur në Oqeanin Atlantik të Veriut në vitin 1912, synon të shesë për herë të parë një pjesë të koleksionit të saj.

Sipas raportimit të CBS, koleksioni përfshin sende personale të pasagjerëve, para, pajisje kuzhine dhe objekte dekorative. Ndër sendet që mund të dalin në ankand janë një figurë engjëlli prej bronzi, një gjerdan ari dhe një varëse në formë zemre.

Kompania po planifikon gjithashtu një ekspozitë ndërkombëtare në katër qytete, por vendndodhjet nuk janë bërë ende publike.

Shitja është kundërshtuar nga Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA-së (NOAA), e cila përfaqëson interesat amerikane në mbrojtjen e vendeve të rrënojave në Atlantikun e Veriut. Sipas NOAA-s, ankandi do të përbënte shkelje të marrëveshjeve të mëparshme gjyqësore, sipas të cilave objektet duhet të ruhen si një koleksion unik dhe të mbeten të aksesueshme për publikun përmes ekspozitave muzeale.

Në padinë e depozituar në gjykatë, qeveria amerikane pretendon se RMS Titanic Inc. nuk po kërkon miratimin e gjykatës për shitjen e objekteve, nuk e konsideron të nevojshëm një miratim të tillë dhe pretendon se nuk ka kufizime ligjore për të shitur artikujt.

Nga ana tjetër, kompania ka argumentuar më herët se shitja e planifikuar nuk bie ndesh me vendimet dhe marrëveshjet ekzistuese të gjykatës.

Që nga viti 1987, gjatë ekspeditave në rrënojat e Titanikut janë nxjerrë disa mijëra objekte, përfshirë edhe pjesë të trupit të anijes.

Deri më tani, RMS Titanic Inc. i ka financuar kryesisht aktivitetet e saj përmes ekspozitave, ndërsa përpjekjet për të shitur artefaktet kanë hasur në kundërshtime nga gjykatat, organizatat për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe familjet e viktimave.

Interesi i koleksionistëve për sendet e lidhura me Titanikun mbetet i lartë. Vitin e kaluar, një orë xhepi prej ari 18 karatësh që i përkiste biznesmenit amerikan Isidore Strauss u shit për më shumë se 2 milionë dollarë. Ora ishte një dhuratë nga bashkëshortja e tij, Ida Strauss, me rastin e ditëlindjes së 43-të.

Po ashtu, violina që besohet se është luajtur gjatë fundosjes së anijes u shit në vitin 2013 për 1.45 milionë dollarë.

Në prill të këtij viti, një jelek shpëtimi i përdorur nga një pasagjer i Titanikut gjatë evakuimit të anijes u shit në ankand për 906 mijë dollarë. Në të njëjtin ankand të organizuar nga Henry Aldridge & Son, një jastëk sediljeje nga një prej varkave të shpëtimit të Titanikut u shit për 527 mijë dollarë.

Titaniku u fundos më 15 prill 1912 pasi u përplas me një ajsberg gjatë udhëtimit të tij të parë nga Southamptoni i Anglisë drejt Nju Jorkut në Shtetet e Bashkuara. Më shumë se 1.500 persona humbën jetën në katastrofë.

Richard Daynard, profesor i së drejtës në Shkollën e Drejtësisë të Universitetit Northwestern në Boston dhe ekspert i mbrojtjes së interesit publik, deklaroi se rregullat për ekspozimin dhe shitjen e artefakteve të Titanikut synojnë ruajtjen e rrënojave në dobi të publikut.

Për këtë arsye, tha ai, “miliarderët nuk mund ta marrin atë për të shfaqur më tej pasurinë dhe pushtetin e tyre”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco