Ushqimi i kontaminuar me baktere, viruse, parazitë ose substanca kimike të dëmshme shkakton vdekjen e 1.5 milionë njerëzve në mbarë botën çdo vit, ndërsa fëmijët e vegjël janë më të prekurit, paralajmëroi të enjten Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Pas analizimit të të dhënave nga 194 vende për periudhën 2000–2021, agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara zbuloi se 886 milionë njerëz sëmuren çdo vit nga konsumimi i ushqimit të pasigurt, ndërsa fëmijët nën moshën pesë vjeç kanë pothuajse trefish më shumë gjasa të preken.
“Siguria ushqimore nuk është një çështje abstrakte, ajo prek çdo vakt, çdo familje, çdo ditë,” tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, TedrosAdhanomGhebreyesus.
Megjithëse sëmundjet e shkaktuara nga konsumimi i ushqimit të rrezikshëm kanë rënë në përgjithësi që nga viti 2000, pabarazitë e mëdha rajonale vazhdojnë të ekzistojnë.
Afrika dhe Azia Juglindore së bashku përbëjnë pothuajse tre të katërtat e të gjitha rasteve të sëmundjeve të lidhura me ushqimin dhe 60 për qind të vdekjeve në nivel global.
Me rreth 860 milionë raste në vitin 2021, rreziqet biologjike si bakteret dhe viruset shkaktuan shumicën dërrmuese të sëmundjeve që vijnë nga ushqimi.
Megjithatë, konsumimi i substancave kimike ishte përgjegjës për një pjesë disproporcionale të vdekjeve, ku helmimi nga arseniku dhe plumbi ishin shkaktarët kryesorë jo-biologjikë.
“Të dhënat tregojnë se sëmundjet e transmetuara nga ushqimi jo vetëm që vazhdojnë të jenë problem, por po përkeqësohen nga ndryshimet klimatike, të cilat rrisin rrezikun e kontaminimit, si dhe nga rezistenca ndaj antimikrobikëve, e cila i bën infeksionet më të vështira për t’u trajtuar,” tha YukiMinato, zyrtare teknike e OBSH-së për sigurinë ushqimore.
Përveç pasojave shëndetësore, studimi vlerëson se sëmundjet e shkaktuara nga ushqimi i kontaminuar i kushtuan ekonomisë botërore 647 miliardë dollarë humbje produktiviteti vetëm gjatë vitit 2021.
© SYRI.net