Babai i dy fëmijëve francezë që u braktisën në Portugali nga nëna e tyre 41-vjeçare dhe partneri i saj 55-vjeçar ka thyer heshtjen dhe ka zbuluar se është duke pritur autorizim nga autoritetet për t'u ribashkuar me fëmijët e tij.
Duke folur për kanalin francez Ici Alsace TV, burri, i cili nuk donte të identifikohej, shpjegoi se e mban telefonin pranë ditë e natë, duke pritur që autoritetet të kontaktojnë.
Në një email të dërguar te Ici Alsace TV, babai shkroi: "Është vetëm çështje ditësh para se t'i marr fëmijët e mi. Kam menduar për ta çdo sekondë që kur stacioni i policisë së Colmar më kontaktoi për të raportuar se ishin të zhdukur."
Fëmijët katër dhe pesë vjeç u braktisën në Portugalinë jugore më 19 maj.
Të premten, António José Fialho, President i distriktit gjyqësor të Setúbal, tha në një njoftim për shtyp se "fëmijët jetonin me nënën e tyre në Francë dhe se prindërit janë të ndarë, me babain që ka të drejta të kufizuara dhe të mbikëqyrura për vizita".
Në deklaratën e dërguar dhe të transmetuar nga Ici Alsace TV, babai i fëmijëve bëri thirrje gjithashtu për vëmendje të kufizuar nga media.
"Fëmijët e mi do të duhet të rindërtojnë jetën e tyre, ashtu siç unë rindërtova timen, dhe atyre nuk kanë nevojë t'u kujtohet kjo tragjedi. Nuk po përpiqem të mbroj ose të minimizoj aktet që u kryen. Faktet mbeten serioze dhe thellësisht tronditëse. Refuzoj të shtoj fjalë urrejtjeje, fyerje ose etiketa që synojnë dehumanizimin e një personi, edhe nëse ai/ajo konsiderohet fajtor."
Babai përfundoi në deklaratën e tij se do të fliste përsëri vetëm pasi të ishte "ribashkuar" me fëmijët e tij.
Ndërkohë, nëna e fëmijëve dhe partneri i saj po mbahen në paraburgim në Portugali, me dyshimin se kanë braktisur dy djemtë.
E akuzuara, Marine Rousseau, do të vuajë paraburgimin në Burgun Tires, në famullinë e São Domingos de Rana, në komunën e Cascais, distrikti i Lisbonës.
Partneri i saj, gjithashtu një i pandehur, Marc Ballabriga, është transferuar në Lisbonë.
Autoritetet franceze kanë bërë një kërkesë për kthimin e dy fëmijëve.
Fëmijët u gjetën më 19 maj nga një kalimtar, duke bredhur pranë Rrugës Kombëtare 253 në distriktin e Setúbalit.
Nëna dhe partneri i saj u arrestuan dy ditë më vonë, ndërsa ishin ulur në tarracën e një kafeneje në periferi të qytetit të Fátimës, në komunën e Ourémit.
© SYRI.net