Lajmi i fundit

LIVE/ 13 ditë protesta para Kryeministrisë, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Valë ekstreme nxehtësie godet Francën, humb jetën një person gjatë garës vrapimit në Paris, 10 të tjerë përfundojnë në spital

Valë ekstreme nxehtësie godet Francën, humb jetën një person gjatë garës vrapimit në Paris, 10 të tjerë përfundojnë në spital

11:30, 25/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një valë e paprecedentë nxehtësie po godet Francën, ku të dielën u regjistruan temperatura rekord për majin dhe një vdekje u raportua gjatë një gare vrapimi në Paris.

Viktima ndërroi jetë gjatë një gare në kryeqytet ndërsa rreth dhjetë vrapues të tjerë në një garë tjetër në një periferi të Parisit u dërguan me urgjencë në spitale, tha shërbimi i zjarrfikësve.

Sipas shërbimit francez të motit Météo-France, zhiva në Paris tejkaloi 30° Celsius për herë të parë këtë vit të shtunën, duke arritur në 31.9° Celsius.

Kjo “valë e hershme dhe e dukshme e nxehtësisë”, sipas Météo-France, është për shkak të një “kupole termike” mbi Francën, një zonë me presion të lartë që bllokon ajrin e ngrohtë nga Afrika e Veriut, e cila pritet të intensifikohet më tej sot.

Një total prej 13 rajonesh në Francën perëndimore janë vënë në alarm të verdhë për valë të nxehtësisë, niveli i parë i alarmit, për herë të parë për muajin maj që nga viti 2004, kur u krijua ky sistem.

Dje temperaturat tejkaluan 30° Celsius në shumë zona.

Sipas të dhënave paraprake nga Météo-France, rekordet për muajin maj u thyen të dielën në të paktën dhjetë stacione meteorologjike, përfshirë atë në Brest në Francën perëndimore, ku zhiva arriti në 29.8°C, duke thyer rekordin e vendosur në maj 2017.

Sot, temperaturat pritet të arrijnë 35°C në Francën perëndimore.

Siç theksoi Météo-France, kjo valë e hershme e nxehtësisë “do të jetë afatgjatë” dhe mund të vazhdojë të paktën deri në fillim të javës së ardhshme.

Klimatologët paralajmërojnë se valët e nxehtësisë të përsëritura janë një shenjë e qartë e ndryshimeve klimatike, të cilat shkaktohen kryesisht nga djegia e lëndëve djegëse fosile. Këto valë nxehtësie pritet të bëhen më të shpeshta, më të gjata dhe më intensive.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco