Një incident i rëndë ka ndodhur gjatë një fluturimi të kompanisë britanike low cost “Jet2”, pasi një nga pilotët pësoi infarkt teksa avioni ndodhej në mbi 9 mijë metra lartësi.
Avioni po kryente linjën mes Tenerifes dhe Birminghamit në Mbretërinë e Bashkuar, kur piloti nisi të ndiehej keq gjatë fluturimit. Ngjarja ndodhi të enjten, në fluturimin LS1266, dhe detyroi pilotin tjetër të kryente një ulje emergjente në aeroportin e Portos, në Portugali.
Sipas raportimeve të “Daily Mail”, stafi i avionit kërkoi menjëherë ndihmën e një mjeku mes 220 pasagjerëve që ndodheshin në bord, ndërsa situata u menaxhua me procedurat emergjente të sigurisë.
Në një deklaratë zyrtare, kompania ajrore konfirmoi incidentin.
“Fluturimi LS1266 nga Tenerife drejt Birminghamit u devijua drejt Portos të enjten, për shkak se një nga pilotët u ndie keq. Në asnjë moment nuk u rrezikua siguria e pasagjerëve dhe udhëtimi vazhdoi më pas pa probleme. Kërkojmë ndjesë për këtë vonesë të paparashikuar”, thuhej në reagimin e kompanisë.
Shërbimet emergjente mbërritën menjëherë në pistë sapo avioni u ul, pasi protokolli i alarmit ishte aktivizuar gjatë fluturimit. Piloti u transportua me urgjencë në një spital në qytetin portugez për trajtim mjekësor.
Ndërkohë, pasagjerët qëndruan në avion për më shumë se një orë, derisa kompania organizoi vazhdimin e udhëtimit. Një pilot tjetër u dërgua nga Manchesteri drejt Portos për të marrë drejtimin e avionit dhe për të çuar pasagjerët në destinacionin final, Birmingham.
© SYRI.net