Hidhen poshtë akuzat kundër zyrtarit në shkollën ku gjashtëvjeçari qëlloi mësuesen

Hidhen poshtë akuzat kundër zyrtarit në shkollën ku gjashtëvjeçari qëlloi mësuesen

20:14, 21/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një gjykatë në shtetin amerikan të Virxhinias ka rrëzuar të gjitha akuzat penale ndaj ish-drejtorit së një shkolle fillore, ku një nxënës 6-vjeçar qëlloi me armë mësuesen e tij gjatë orës së mësimit.

Ebony Parker përballej me tetë akuza për abuzim të rëndë ndaj fëmijëve, pasi dyshohej se kishte injoruar paralajmërimet se nxënësi kishte sjellë armë në shkollë. Megjithatë, gjyqtarja Rebecca Robinson vendosi se prokuroria nuk arriti të provonte rastin dhe i hodhi poshtë të gjitha akuzat.

E veshur me një xhaketë me kuadrate në sallën e gjyqit, Parker shpërtheu në lot dhe uli kokën teksa u dha vendimi. Gjyqtarja deklaroi nga trupi gjykues: “Ajo që ndodhi atë ditë ishte e tmerrshme”.

Ngjarja ndodhi në janar të vitit 2023 në qytetin Newport News, kur nxënësi i klasës së parë qëlloi me një plumb mësuesen Abigail Zwerner. Ajo u plagos rëndë, duke pësuar dëmtime në dorë dhe gjoks dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Më vonë, Zwerner ngriti padi civile kundër Parker dhe fitoi 10 milionë dollarë dëmshpërblim, duke pretenduar se ish-drejtori kishte injoruar të paktën tre paralajmërime se fëmija mund të ishte i armatosur.

Sipas padisë, mësuesja kishte njoftuar Parker se nxënësi ishte në gjendje “agresive” dhe kishte bërë kërcënime ndaj një fëmije tjetër, por ajo nuk kishte reaguar dhe nuk kishte pranuar të kontrollonte situatën. Gjithashtu, ajo dyshohet se kishte refuzuar kërkesat e stafit për kontrollimin e çantës së nxënësit.

Avokati i Parker argumentoi se ajo nuk mund të parashikonte ngjarjen dhe se dëmtimet e mësueses ishin ekzagjeruar, por gjykata civile më parë kishte vendosur në favor të Zwerner për neglizhencë të rëndë.

Nëna e fëmijës, Deja Nicole Taylor, u dënua më herët për neglizhencë ndaj fëmijës dhe për akuza federale lidhur me armën dhe deklarime të rreme gjatë procesit të blerjes së saj. Ajo u dënua me burgim si dhe me 21 muaj shtesë për shkelje federale.

Pas ngjarjes, autoritetet gjetën edhe sasi kanabisi në banesën e saj. Fëmija, i cili nuk u përball me akuza penale, ka deklaruar se e mori armën nga çanta e nënës së tij, e vendosur në një vend të lartë në shtëpi. Ai aktualisht jeton me një të afërm dhe ndjek një shkollë tjetër./BBC

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco