Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka thënë se bisedimet me Iranin po ecin përpara dhe se, sipas tij, ka shenja të dukshme përparimi, madje duke lënë të kuptohet se Teherani po tregohet më i hapur ndaj një marrëveshjeje të mundshme.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, ai sqaroi se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan për transferimin e uraniumit të pasuruar të Iranit drejt Rusisë dhe se këto pretendime nuk janë pjesë e negociatave. Sipas tij, kjo temë nuk është diskutuar fare mes palëve dhe, nëse do të ekzistonte një ide e tillë, Irani do ta kishte ngritur vetë në tryezë.
Vance theksoi gjithashtu se Uashingtoni sheh dy rrugë të mundshme në raport me Iranin, duke ripërsëritur qëndrimin se Teherani nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore.
Ai tha se administrata amerikane ka arritur “përparim të rëndësishëm” përmes kontaktit diplomatik, por shtoi se situata mbetet e paqëndrueshme, pasi brenda udhëheqjes iraniane ka ende ndasi dhe pasiguri për mënyrën si duhet vazhduar.
Sipas tij, edhe pse diplomacia është opsioni i preferuar, ekziston gjithmonë edhe një alternativë tjetër - ajo e forcës ushtarake - në rast se negociatat nuk sjellin rezultat.
© SYRI.net