Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbërriti në Romë nën masa të forta sigurie për një vizitë diplomatike të konsideruar shumë delikate, në një moment tensionesh ndërkombëtare dhe marrëdhëniesh të ndërlikuara mes SHBA-së dhe Vatikanit.
I shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe ambasadori amerikan pranë Selisë së Shenjtë, Brian Burch, Rubio u prit në oborrin “San Damaso” nga autoritetet papnore dhe më pas zhvilloi një takim të gjatë me Papa Leone XIV dhe Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin.
Bisedimet, që zgjatën mbi dy orë, u përqendruan te konfliktet ndërkombëtare, situata në Lindjen e Mesme, Libani, Irani dhe Kuba, si edhe te roli i diplomacisë së Vatikanit në përpjekjet për paqe dhe dialog mes kombeve. Burime pranë Selisë së Shenjtë bëjnë të ditur se Papa ritheksoi se “Kisha do të jetë gjithmonë në anën e paqes”.
Ndërkohë, nesër Rubio do të zhvillojë takime të rëndësishme politike në Palazzo Chigi me kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe ministrin e Jashtëm Antonio Tajani. Në qendër të diskutimeve pritet të jenë lufta në Ukrainë, situata në Lindjen e Mesme, siguria euro-atlantike, marrëdhëniet SHBA–BE dhe bashkëpunimi strategjik mes Romës dhe Uashingtonit.
Vizita e Rubios konsiderohet një sinjal i fortë diplomatik i administratës amerikane në Evropë dhe në Vatikan, në një periudhë tensioni të lartë global./Alba Kepi, Syri TV
© SYRI.net