Nga Alba Kepi
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbërrin sot në Romë për një vizitë dyditore që konsiderohet si një nga misionet diplomatike më delikate të administratës amerikane në javët e fundit.
Vizita zhvillohet në një klimë tensionesh të forta mes SHBA-së, Italisë dhe Vatikanit, në sfondin e konfliktit me Iranin, deklaratave të ashpra të presidentit amerikan Donald Trump kundër Papës dhe mosmarrëveshjeve me qeverinë italiane.
Rubio do të zhvillojë sot takime në Vatikan me Papën Leone XIV dhe sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinalin Pietro Parolin. Ndërsa nesër ai do të takohet me kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe ministrin e Jashtëm Antonio Tajani.
Sipas mediave amerikane, qëllimi i vizitës është rikthimi i dialogut me dy partnerët strategjikë të SHBA-ve, pas përplasjeve diplomatike të shkaktuara nga deklaratat e Trump-it dhe divergjencave mbi luftën në Iran.
Përplasja Trump–Papa
Tensionet u përshkallëzuan pasi Trump akuzoi Papën për një qëndrim “të butë” ndaj Iranit dhe për rrezikimin e “shumë katolikëve”.
Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan u shpreh: “Është shumë e thjeshtë: pavarësisht nëse e bën Papën të lumtur apo jo, Irani nuk mund të ketë armë bërthamore.”
Trump shtoi se nëse Irani do të siguronte armë bërthamore, “e gjithë bota do të bëhej peng”.
Përgjigjja e Papës Leone XIV erdhi pak më vonë dhe u interpretua si një kundërpërgjigje direkte ndaj presidentit amerikan: “Nëse dikush dëshiron të më kritikojë për shpalljen e Ungjillit, le ta bëjë me të vërtetën.”
Gjatë audiencës së përgjithshme në Shën Pietro, Papa ritheksoi pozicionin e Kishës kundër luftës dhe dhunës: “Kisha është e thirrur të shprehë fjalë të qarta për të refuzuar gjithçka që poshtëron jetën dhe pengon zhvillimin e saj.”
Ai shtoi se Kisha duhet të mbrojë “të varfrit, të shfrytëzuarit dhe viktimat e luftës”.
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, deklaroi se Selia e Shenjtë është e gatshme të dëgjojë Rubio-n dhe të diskutojë për çështjet më të nxehta ndërkombëtare, duke përfshirë Iranin, Lindjen e Mesme, Amerikën Latine dhe Kubën.
“Këto konflikte nuk mund të zgjidhen me forcë, por përmes negociatave të sinqerta ku të gjitha palët të gjejnë një pikë takimi,” deklaroi Parolin.
I pyetur për sulmet e Trump ndaj Papës, ai tha: “Papa bën atë që duhet të bëjë. Ta sulmosh në këtë mënyrë më duket paksa e çuditshme. Do të dëgjojmë Rubio-n, ky takim është një nismë e tyre dhe padyshim do të flasim edhe për atë që ka ndodhur gjatë këtyre ditëve.”
Megjithatë, Parolin theksoi se SHBA-të mbeten një partner i domosdoshëm për Selinë e Shenjtë: “Shtetet e Bashkuara janë dhe mbeten një interlocutor i pazëvendësueshëm.”
Ai shtoi se nëse do të kishte një kërkesë të drejtpërdrejtë për dialog nga Trump, Papa nuk do të kishte vështirësi ta pranonte.
Marrëdhëniet SHBA-Itali dhe çështja Sigonella
Vizita e Rubio-s zhvillohet edhe në një moment të ndërlikuar për marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Romës.
Megjithëse Giorgia Meloni konsiderohet një nga liderët europiane më të afërt me Trump-in, ajo është distancuar nga sulmet ndaj Papës, duke i konsideruar të papranueshme.
Tensionet u shtuan pas refuzimit të Italisë për të mbështetur më drejtpërdrejt operacionin amerikan kundër Iranit, veçanërisht përmes përdorimit më të madh të bazës ushtarake të Naval Air Station Sigonella në Sicili.
Protesta kundër Rubio-s në Itali
Vizita e sekretarit amerikan të Shtetit do të shoqërohet edhe me protesta në Romë dhe qytete të tjera italiane.
Organizata si Rete dei Comunisti, Cambiare Rotta dhe OSA kanë bërë thirrje për mobilizime në universitete, shkolla dhe sheshe publike.
Në një deklaratë të përbashkët, ato shkruajnë: “Larg kriminelit Rubio nga Roma. Përfaqësuesi i imperializmit amerikan sjell me vete politikën e luftës totale të Perëndimit.”
Organizatorët e protestave akuzojnë SHBA-të për mbështetje ndaj Izraelit në luftën në Palestinë, presion ndaj Kubës dhe politika agresive ndaj Iranit dhe Venezuelës.
Edhe grupet studentore italiane, të angazhuara në greva kundër militarizimit dhe politikave të luftës, kanë deklaruar se Rubio “nuk është i mirëpritur”.
Një protestë pritet të zhvillohet në Piazza Santi Apostoli në solidaritet me Palestinën dhe Kubën, ndërsa aksione të tjera janë paralajmëruar në disa qytete italiane.
Masa të forta sigurie dhe rrugë të mbyllura në Romë
Vizita diplomatike ka sjellë masa të jashtëzakonshme sigurie në kryeqytetin italian.
Deri të premten, mes qendrës së Romës dhe Vatikanit, janë planifikuar lëvizje të delegacioneve diplomatike dhe trupave të sigurisë, duke shkaktuar kufizime të shumta në trafik.
Autoritetet italiane kanë vendosur ndalime parkimi dhe mbyllje të përkohshme të rrugëve në disa zona strategjike të qytetit.
Kufizime të veçanta janë vendosur edhe pranë Palazzo della Farnesina, selia e Ministrisë së Jashtme italiane, ku Rubio do të zhvillojë një pjesë të takimeve zyrtare.
Autoritetet paralajmërojnë vonesa të konsiderueshme në qarkullim dhe devijime të transportit publik gjatë gjithë vizitës diplomatike.
© SYRI.net