Emri: Zhang Zhidong
Mosha: 39 vjeç
Shtetas: Kinez
Arsimi: I diplomuar për gjuhë në universitetin prestigjioz Peking University në Pekin.
Profesioni: “Mbreti i fentanylit”, droga që po shkakton mijëra viktima mes personave të varur në të gjithë botën.
Sot ky person ndodhet në një burg në Nju Jork, ku po përballet me proces gjyqësor në një gjykatë federale në Bruklin.
Historia e tij kriminale ka edhe një dimension politik, pasi Donald Trump ka akuzuar autoritetet kineze se për vite me radhë kanë mbyllur sytë ndaj trafikut të përbërësve të kësaj substance vdekjeprurëse, të cilët nga Kina eksportohen drejt Meksikës dhe më pas kontrabandohen në Shtetet e Bashkuara. Ekspertët thonë se bëhet fjalë për “një produkt më shumë të ngjashëm me një armë kimike sesa me një drogë tradicionale”.
Presidenti amerikan e ka cilësuar fentanylin “një armë të shkatërrimit në masë që kërcënon sigurinë kombëtare” dhe vitin e kaluar e përmendi pikërisht këtë substancë dhe “narko-terrorin” si justifikim për vendosjen e tarifave ndaj aluminit dhe çelikut kinez, si dhe më pas për veprimet kundër Venezuelës.
Ndjekja e Zhang Zhidong bëri që policia amerikane të bashkëpunonte edhe me autoritete të vendeve rivale, si Kuba dhe Rusia. Trafikanti u arrestua për herë të parë në Meksikë në tetor të vitit 2024. Ai ishte truri që koordinonte “zinxhirin e furnizimit” të fentanylit në aksin Kinë-Meksikë, përmes një flote anijesh dhe avionësh të paligjshëm.
Narko-trafikantët e Kartelit të Sinaloas e quanin “Vëllai Wang”. Por ai përdorte edhe shumë emra të tjerë, si Pancho, HeHe, HaHa dhe Chino.
Pavarësisht provave të forta kundër tij, një gjykatës meksikan i dha masën e arrestit shtëpiak. Më pas, me një nga metodat më klasike dhe spektakolare të arratisjes, një tunel i hapur nën shtëpinë e tij në Mexico City, Wang u arratis.
Destinacioni i parë i arratisjes ishte Kuba, ku shkoi me një avion privat. Më pas udhëtoi drejt Rusisë. Autoritetet ruse vunë re pasaportën e falsifikuar dhe e kthyen në Kubë, prej nga u dërgua sërish në Meksikë dhe më në fund, në fund të vitit 2025, u ekstradua në Shtetet e Bashkuara.
Në gjykatë, “Vëllai Wang” është deklaruar i pafajshëm për akuzat e shumta ndaj tij, që variojnë nga trafiku i drogës deri te krijimi i qindra kompanive fiktive për pastrimin e qindra milionë dollarëve të ardhura nga droga dhe krimet e dhunshme.
I diplomuari nga Pekini, që flet rrjedhshëm spanjisht, kishte mbërritur në Meksikë në vitin 2011 si punonjës i një miniere hekuri në pronësi kineze.
“Ai ishte i aftë të negocionte me njerëzit vendas, kishte shumë burime dhe përshtatej jashtëzakonisht mirë në çdo lloj situate”, tha për BBC një ish-koleg i tij nga miniera.
Më vonë, Wang zbuloi se fentanyli mund t’i siguronte fitime jashtëzakonisht më të mëdha. Ai ndërtoi biznesin e tij duke krijuar lidhje me Kartelin e Sinaloas, prodhuesit kinezë të “pararendësve” kimikë të kësaj substance, si dhe me autoritete meksikane të korruptuara.
Fentanyli është një opioid sintetik 50 herë më i fuqishëm se heroina; një substancë vdekjeprurëse që ka disa variante, mes të cilave edhe karfentanili, i cili është edhe më i fuqishëm.
Ai u zhvillua në vitet ’70 si një qetësues për elefantët, më pas tërhoqi vëmendjen e ushtrive dhe u përdor nga forcat speciale ruse në vitin 2002 gjatë operacionit për zgjidhjen e pengmarrjes në teatrin Dubrovka në Moskë.
Forcat ruse synonin të vinin në gjumë terroristët çeçenë, por përzierja e gazit rezultoi aq vdekjeprurëse sa operacioni përfundoi në një masakër, me 169 të vdekur mes civilëve dhe pengmarrësve.
© SYRI.net