Ishte nisur drejt Gazës, forcat izraelite ndalojnë flotiljen humanitare pranë Kretës, 175 aktivistë të arrestuar

Ishte nisur drejt Gazës, forcat izraelite ndalojnë flotiljen humanitare pranë Kretës, 175 aktivistë të arrestuar

18:05, 30/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Forcat izraelite kanë ndaluar një flotilje anijesh që transportonte ndihma për Gazën pranë ishullit të Kretës. 175 aktivisët u ndaluan informon Ministria e Jashtme e Izraelit.

Organizatorët e “Global Sumud Flotilla” (GSF) e kanë cilësuar ndërhyrjen si “pirateri”, duke shtuar se ndalimi është kryer në ujëra ndërkombëtare, rreth 965 kilometra larg Gazës.

Sipas GSF, forcat izraelite kanë hipur në anije, kanë çaktivizuar disa prej tyre dhe kanë ndërprerë komunikimet gjatë një operacioni që e quajnë “sulm i dhunshëm”. Ata pretendojnë se mbi 180 civilë nga vende të ndryshme janë ndaluar, ndërsa disa anije janë lënë të dëmtuara në det.

Nga ana e saj, Izraeli deklaron se operacioni është kryer në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe se ndalimi ishte i nevojshëm për të parandaluar shkeljen e bllokadës detare ndaj Gazës. Autoritetet izraelite e kanë cilësuar flotiljen si një “lëvizje propagandistike” dhe kanë pretenduar se në disa anije janë gjetur materiale të dyshimta.

Sipas Ministrisë së Jashtme izraelite, rreth 175 aktivistë nga më shumë se 20 anije janë ndaluar dhe po transportohen drejt Izraelit. Ndërkohë, pjesa tjetër e flotiljes raportohet se ndodhet ende pranë brigjeve jugore të Kretës.

Operacioni ka shkaktuar reagime edhe në nivel ndërkombëtar, me thirrje për respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe garantimin e sigurisë së civilëve në bord. Organizatorët e flotiljes deklarojnë se qëllimi i tyre është thyerja e bllokadës ndaj Gazës dhe krijimi i një korridori humanitar të përhershëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco