Vizita e mbretit Charles në SHBA: Çfarë duhet të dini për itinerarin dhe fjalimin në Kongres

Vizita e mbretit Charles në SHBA: Çfarë duhet të dini për itinerarin dhe fjalimin në Kongres

11:35, 27/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Vizita e mbretit Charles III dhe mbretëreshës Camilla vjen në një moment tensionesh mes SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe në përvjetorin e 250-të të pavarësisë amerikane.

Nga Elizabeth Melimopoulos – Al Jazeera/

Mbreti i Britanisë, Charles III, dhe mbretëresha Camilla po udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara për atë që pritet të jetë vizita më e rëndësishme jashtë vendit gjatë mbretërimit të tij deri tani.

Vizita shtetërore përkon me 250-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së SHBA-së dhe shkëputjes së 13 kolonive origjinale nga sundimi britanik nën mbretin George III.

Ajo vjen gjithashtu në një kohë kur marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Britanisë janë sidomos të ndjeshme, për shkak të dallimeve publike lidhur me luftën e presidentit Donald Trump kundër Iranit.

Udhëtimi katërditor do të zhvillohet "siç është planifikuar", ka bërë të ditur Pallati Buckingham, pavarësisht shqetësimeve të shtuara për sigurinë pas incidentit me të shtëna në Uashington, DC, të shtunën në mbrëmje.

Ja çfarë dimë:

Kur mbërrijnë mbreti Charles III dhe Mbretëresha Camilla në SHBA?

Familja mbretërore mbërrin në SHBA të hënën, me 27 prill, dhe do të qëndrojë deri të enjten, me 30 prill.

"Vizita do të jetë një mundësi për të njohur historinë e përbashkët të dy vendeve tona; përmasat e marrëdhënieve ekonomike, të sigurisë dhe kulturore që janë zhvilluar që atëherë; si dhe lidhjet e thella mes njerëzve që bashkojnë komunitetet," tha Pallati Buckingham.

Cila është agjenda në SHBA për mbretin Charles III dhe mbretëreshën Camilla?

Vizita zgjat katër ditë, me programin e ndarë si më poshtë:

27 prill – Mbërritja, çaj dhe vizitë në Shtëpinë e Bardhë:

Presidenti Trump dhe bashkëshortja e tij, Melania Trump, do t'i presin në Portikun Jugor të Shtëpisë së Bardhë.

Më pas, çiftet do të kalojnë në katin shtetëror për një çaj privat në Dhomën e Gjelbër, përpara se të vizitojnë kosheren e re të zgjeruar të bletëve në oborrin jugor, pranë kopshtit të kuzhinës.

Dita përfundon me një përshëndetje të shkurtër, ndërsa familja mbretërore largohet nga ambientet e Shtëpisë së Bardhë.

28 prill – Programi ceremonial, fjalimi në Kongres dhe takime:

Dita nis me ceremoninë zyrtare të mirëseardhjes në oborrin jugor.

Presidenti dhe Zonja e Parë do të mirëpresin zyrtarisht familjen mbretërore britanike, përfshirë nderimet ushtarake nga US Army Herald Trumpets.

Himnet kombëtare të të dy vendeve do të interpretohen nga banda e Marinës së SHBA-së, të shoqëruara nga një nderim me 21 të shtëna.

Programi përfshin inspektimin e trupave, i shoqëruar nga US Army Old Guard Fife and Drum Corps, si dhe fjalime nga presidenti.

Më pas, liderët do të dalin në ballkonin e Dhomës Blu për një parakalim të 300 ushtarëve amerikanë, ndërsa rreth 500 pjesëtarë nga të gjashtë degët e forcave të armatosura do të marrin pjesë në ceremoni, një risi historike për një vizitë shtetërore.

Pas ceremonisë, familja mbretërore do të firmosë librin e mysafirëve në Shtëpinë e Bardhë, do të marrë pjesë në shkëmbimin zyrtar të dhuratave dhe do të takohet me delegacionet amerikane dhe britanike.

Më pas programi ndahet:

Presidenti Trump dhe mbreti Charles do të zhvillojnë një takim dypalësh në Zyrën Ovale, ndërsa Zonja e Parë dhe mbretëresha do të marrin pjesë në një aktivitet ndërkulturor me studentë në pavijonin e tenisit të Shtëpisë së Bardhë, duke përdorur mjete të realitetit virtual dhe inteligjencës artificiale për të eksploruar lidhjet SHBA–Britani.

Më vonë gjatë ditës, mbreti Charles pritet t'i drejtohet një seance të përbashkët të Kongresit të SHBA-së, për herë të parë që nga viti 1991 që një monark britanik mban një fjalim të tillë.

28 prill (mbrëmje) – Darka shtetërore:

Presidenti dhe Zonja e Parë do të organizojnë një darkë zyrtare shtetërore në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë.

Detaje të tjera për këtë program pritet të publikohen më vonë nga zyra e Zonjës së Parë.

29 prill – Nju Jork dhe Virxhinia

Përtej Uashingtonit, programi pritet të shtrihet në Nju Jork, ku çifti mbretëror do të marrë pjesë në një ceremoni në memorialin e 11 Shtatorit, në prag të 25-vjetorit të sulmeve, si dhe do të takojë ekipet e emergjencës. Ata pritet të shoqërohen nga kryetari i bashkisë së qytetit, Zohran Mamdani.

Ata gjithashtu do të udhëtojnë drejt Virxhinias, ku do të marrin pjesë në aktivitete që lidhen me festimet për 250-vjetorin e themelimit të SHBA-së, përfshirë një festë komunitare në lagje.

30 prill – Lamtumira:

Të enjten, mbreti dhe mbretëresha do të kthehen në Uashington, DC. Vizita përfundon me një ceremoni zyrtare lamtumire në Portikun Jugor të Shtëpisë së Bardhë, e ndjekur nga një ceremoni largimi në Dhomën e pritjeve diplomatike.


Më pas, vizita do të vazhdojë në Bermuda, ku janë planifikuar angazhime të tjera për 1 dhe 2 maj.

Mbreti nuk pritet të takojë viktimat e agresorit seksual Jeffrey Epstein, pavarësisht kërkesës së përfaqësuesit amerikan Ro Khanna për një takim privat.

Pse po e viziton tani SHBA-në mbreti Charles?

Analistët thonë se koha e kësaj vizite është sidomos domethënëse, pasi vjen mes tensioneve mes SHBA-së dhe Britanisë për Iranin, NATO-n, tregtinë dhe taksën britanike për shërbimet digjitale.

Kryeministri britanik Keir Starmer ka kritikuar luftën kundër Iranit, duke thënë se është kundër interesave të Britanisë. Ai gjithashtu refuzoi t'i bashkohej një operacioni ushtarak të kërkuar nga Trump për të rihapur me forcë Ngushticën e Hormuzit. Në vend të kësaj, Britania dhe disa vende të tjera europiane kanë ofruar ndihmë për të siguruar ngushticën pasi ajo të jetë e hapur.

Në aspektin ekonomik, mosmarrëveshjet tregtare janë rikthyer, veçanërisht për taksën britanike mbi shërbimet digjitale, e cila shënjestrën kompanitë e mëdha teknologjike amerikane. Uashingtoni ka paralajmëruar se mund të përgjigjet me tarifa, duke argumentuar se kjo masë prek në mënyrë disproporcionale firmat amerikane.

Në këtë sfond, analistët thonë se vizita ka një peshë të shtuar diplomatike.

"Vizita e mbretit Charles III duhet të kuptohet si menaxhim krize përmes ceremonisë," tha Salvador Santino Regilme, profesor i asociuar i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Leiden.

"Vizita përkon gjithashtu me 250-vjetorin e pavarësisë amerikane, gjë që i jep një ironi të fortë historike: një monark britanik po vjen në Uashington për të rikonfirmuar një aleancë me një republikë që lindi nga revolta kundër kurorës."

"Ky simbolizëm nuk është thjesht zbukurim. Ai kryen një funksion diplomatik," shtoi Santino.

"Kur marrëdhëniet mes liderëve të zgjedhur bëhen të paqëndrueshme, monarkia i ofron Britanisë një gjuhë të dytë diplomatike: vazhdimësi, përmbajtje dhe afërsi historike. Charles nuk mund të negociojë angazhimet në NATO, tarifat apo politikën ndaj Iranit. Por ai mund të krijojë një hapësirë publike ku të dyja palët mund të tërhiqen nga armiqësia e hapur pa u dukur të dobëta."

Cili është rëndësia e fjalimit në Kongresin e SHBA-së?

Santino tha se fjalimi i mbretit Charles në Kongres është i rëndësishëm sepse vendos monarkinë britanike "përballë zemrës institucionale të republikanizmit amerikan".

"Ky nuk është thjesht ceremonial," tha ai. "Është një shfaqje pajtimi mes perandorisë dhe ish-kolonisë, dhe një kujtesë se aleancat mbahen gjallë jo vetëm nga interesat, por edhe nga kujtesa, rituali dhe mitologjia e përbashkët politike."

Ai shtoi se vizita lidhet edhe me një moment më të gjerë në politikën globale, ku edhe shtetet e fuqishme mbështeten te simbolet kur fuqia e tyre materiale sfidohet.

"Legjitimiteti nuk krijohet kurrë vetëm përmes forcës," tha Santino. "Ai varet edhe nga narrativa për qëllim moral, dinjitet, partneritet dhe përkatësi historike. Kjo vizitë është një shembull i qartë i kësaj logjike."

Çfarë mund të presim nga protokolli i vizitës?

Analistët thonë se vizita do të fokusohet te simbolika dhe stabiliteti, duke theksuar unitetin mes SHBA-së dhe Britanisë, më shumë sesa hierarkinë e rreptë.

"Fokusi, si në çdo vizitë shtetërore, do të jetë te marrëdhënia e përbashkët mes Amerikës dhe Britanisë," tha komentatorja mbretërore Amanda Matta, duke shtuar se do të ketë "më pak theks te kush vjen i pari … dhe më shumë te shfaqja e miqësisë mes dy vendeve".

Image

Megjithatë, protokolli mbretëror mund të ndikojë ende në disa aspekte të vizitës, sidomos në marrëdhënien me median.

"Anëtarët e familjes mbretërore zakonisht nuk u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve gjatë angazhimeve zyrtare," shtoi Matta, duke theksuar se do të konsiderohej "e papërshtatshme" të bëheshin pyetje spontane.

Siguria pritet të jetë shumë e rreptë pas incidentit të fundit me të shtëna në Uashington. Edhe pse këto vizita janë zakonisht "shumë të koordinuara", Matta tha se ka gjasa të ketë "pak më shumë … masa të larta gatishmërie nga të dyja palët", për shkak të dukshmërisë së madhe të ngjarjeve.

Në të njëjtën kohë, vizita pritet të jetë e planifikuar në detaje, me shumë pak vend për spontanitet. "Çdo gjë … çdo fjalë që Charles dhe Camilla do t'i thonë presidentit dhe zonjës së parë është miratuar nga Downing Street," tha Justin Vovk, profesor historie në Redeemer University.

"Asgjë nuk do t'i lihet rastësisë," shtoi ai.

Me tensionet e larta, theksi do të jetë te parashikueshmëria. "Spontaniteti do të thotë paparashikueshmëri, dhe paparashikueshmëria është momenti kur gjërat mund të përkeqësohen. Dhe kjo nuk është mënyra e monarkisë," tha Vovk, duke shtuar se qasja mbretërore është të "zbusë situatat" duke ndjekur udhëzimet e qeverisë.

Vovk shtoi se do të habitej shumë nëse do të kishte momente ku mbreti dhe presidenti amerikan do të ndërvepronin me njerëz jashtë ambienteve të kontrolluara rreptësisht.

Rregullat e etiketës janë çuditërisht më të lehta.

"Ka ndoshta më pak rregulla sesa mendojnë njerëzit," tha Matta. Edhe pse është zakon të mos ecësh para monarkut apo të mos nisësh kontakt fizik, këto rregulla zbatohen me fleksibilitet.

"Do të pritej që Trump t'i drejtohej mbretit me 'Madhëria juaj' dhe jo thjesht 'Charles'. Por kjo është pjesa më formale. Edhe përkulja apo nderimi, sidomos në Amerikë, nuk janë të detyrueshme," shtoi ajo.

Dallimet kulturore mund të jenë ende të dukshme. Amerikanët priren të jenë "më të lirshëm" dhe më komodë me kontaktin fizik, ndërsa protokolli britanik i jep më shumë rëndësi përmbajtjes. Megjithatë, ndonjë moment i sikletshëm nuk ka gjasa të ndikojë në vizitë. Siç tha Matta, sistemi është ndërtuar në mënyrë që monarku të "mos reagojë" dhe të "vazhdojë me dinjitet".

Cilat janë momentet dhe sinjalet kryesore për t'u vëzhguar?

Analistët thonë se një sinjal i rëndësishëm do të jetë mënyra si pritet vizita nga publiku amerikan.

"Diçka për t'u parë këtë herë është si do të pritet kjo vizitë nga amerikanët, si do të reagojnë ndaj saj," shpjegoi Vovk.

Vizita synon të shënojë 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së dhe të festojë "dy shekuj e gjysmë paqe, aleancë dhe miqësi". Por Vovk paralajmëroi se klima aktuale politike mund të ndikojë në mënyrën si do të zhvillohet.

"Klima politike në SHBA tani është jashtëzakonisht e paqëndrueshme," tha ai, duke përmendur lëvizjen e protestës "No Kings" të drejtuar ndaj Trump-it.

"Nëse mbreti i vendit nga i cili amerikanët u shkëputën vjen për vizitë në këtë moment, është plotësisht e mundur që kjo të ndezë valë të reja protestash," tha Vovk, duke shtuar se kjo mund t'i japë lëvizjes "më shumë vrull" dhe të ridrejtojë zemërimin publik drejt vizitës.

"Kjo mund të mos ndodhë … por është një mundësi shumë reale," shtoi ai.

Image

Vovk tha gjithashtu se reagimet e Trump-it do të jenë një tjetër sinjal i rëndësishëm për t'u vëzhguar.

"Kur Trump vizitoi mbretin më herët këtë vit, gjithçka ishte shumë e kontrolluar. Edhe Presidenti Trump, sipas standardeve të tij, ishte jashtëzakonisht i përmbajtur dhe nuk doli nga skenari," tha ai.

"Si rrjedhojë, shumë nga vëmendja u përqendrua te qëndrimi dhe gjuha e trupit dhe mendoj se pikërisht këtë do të shohim sërish."

Megjithatë, Vovk theksoi se dinamika mund të ndryshojë në tokën amerikane.

"Trump ka avantazhin e terrenit këtu dhe do të jetë interesante të shihet nëse ai do të dalë nga skenari," tha ai.

"Është shumë ndryshe ta bësh këtë në Kështjellën Windsor sesa në Shtëpinë e Bardhë."

Ai shtoi se vëzhguesit duhet t'i kushtojnë vëmendje çdo deklarate të papritur nga presidenti, si dhe mënyrës se si vizita paraqitet brenda vendit. /Al Jazeera – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco